E shumëpërfolura “dritare e mundësive”, që deri në fund të vitit 2019 të arrihet një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, duket se është mbyllur përfundimisht. Edhe pse shtytja për arritjen e “kompromisit historik” në muajt e kaluar ka ardhur edhe nga Brukseli, edhe nga Washingtoni, realiteti në terren duket qartë se flet ndryshe.
Kështu vlerësojnë analistë të mirënjohur perëndimorë, të cilët këtë zhvillim e shohin si pasojë të situatës së krijuar në Kosovë, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Gazetari dhe autori britanik, Tim Judah, i cili ka përcjellë zhvillimet në Kosovë dhe rajon që nga vitet ‘90, thotë se ka shumë pak gjasa që dialogu i Brukselit të rinisë sivjet. Ai thotë se këtë konkludim e nxjerr nga përllogaritja e thjeshtë e bazuar në faktet aktuale.
“Matematika e thjeshtë tregon se ka shumë pak gjasa që dialogu të rinisë deri në vitin e ardhshëm. Nëse zgjedhjet në Kosovë mbahen në vjeshtë atëherë me gjasë do të duhen disa muaj për ta krijuar Qeverinë e re, kohë kjo kur Serbia do të hyjë në periudhë zgjedhore”, thotë Judah për “Kohën Ditore”. Andaj – shton ai – edhe nëse çështja e tarifave do të hiqej prej tavolinës së bisedimeve, “nuk shoh se diç mund të ndodhë për një kohë shumë të gjatë”.
Ai këtë zhvillim e quan lajm të keq, ndërsa dështimin ia faturon mungesës së një lidershipi me vizion.
“Në aspektin e përgjithshëm – çfarëdo që mund të mendoni rreth ndryshimit të kufijve dhe kështu me radhë – humbja e kohës është lajm i keq. Kanë kaluar 20 vjet prej fundit të luftës dhe Kosova ende është e kurthuar nga trashëgimia e saj. Për dallim, në vitin 1965 marrëdhëniet mes Francës dhe Gjermanisë ishin transformuar në mënyra të paimagjinueshme për gjeneratat paraprake. Në masë të madhe, kjo ishte çështje e lidershipit vizionar. E kemi këtë këtu? Nuk mendoj se e kemi”, thotë Judah.