Vizat – ëndërr shumë e bukur për të qenë realitet

Prishtinë | 31 Dhj 2018 | 18:15 | Nga Ekonomia Online

Është dita e fundit e 2018-ës.

Për herë të parë që nga koha e Jugosllavisë kosovarët në këtë fundvit kanë fatin që festat t’i kalojnë kudo në Europë.

Madje, Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” ka njoftuar se gjatë dhjetorit më shumë njerëz e kanë “lënë” Kosovën krahasuar me ata që kanë zgjedhur vendlindjen për t’i kaluar pushimet.

Krejt kjo ndodhi pasi përfundimisht kosovarët morën liberalizimin e vizave duke mos qenë më, më të izoluarit në Ballkan.

Sado bukur që tingëllon, kjo është vetëm një ëndërr të cilën politikanët me deklaratat e tyre i bën kosovarët që ta besojnë se mund të jetë realitet– por nuk u realizua as këtë vit.

Të gjitha premtimet e rreme për vizat që nuk u hoqën

Ramush Haradinaj, kryeministër:

“Këtë vit do ta marrim lajmin e merituar për liberalizim” – 8 maj 2018.

“Po, po ka me ndodhë. Javët janë në pyetje. Është në pyetje afati kohor” – 12 korrik 2018.

Dhurata Hoxha, ministrja e Integrimeve Europiane:

“Puna jonë gjithëpërfshirëse, përkushtimi dhe gatishmëria janë dëshmi se liberalizimi i vizave duhet dhe do të ndodhë sivjet” – 19 qershor 2018

“Liberalizimi i vizave për Kosovën pritet të ndodhë deri në fund të vitit” – 17 shtator 2018.

Këto ishin vetëm disa nga premtimet e politikanëve kosovarë se shtetasit e tyre do të mund të lëviznin pa viza në fund të 2018-ës, njofton Klan Kosova.

Një njohës i procesit thotë se këto deklaratat janë dhënë në mungesë të njohurive profesionale mbi procedurat vendimmarrëse te institucioneve të BE-së

“Janë vetë përfaqësuesit institucional të Kosovës të cilët kanë dhënë premtime të paqëndrueshme kohore se viti 2018 do të jetë vit i lëvizjes së lirë. Prandaj, përgjegjësia për mos liberalizimin e vizave gjate vitit 2018 bie mbi lidershipin politik të këtij koalicioni qeverisës i cili ka dhënë premtime të papërgjegjshme dhe joreale”, ka thënë Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK.

Por a duhet të njëjtit të japin dorëheqje, sipas Kryeziut?

“Në këtë drejtim, konsideroj se dorëheqja duhet te shikohet edhe si akt moral i cili do vendoste standard Europian vis-a-vis peshës së fjalës publike dhe rëndësisë së zotimit politik karshi qytetareve të Kosovës”.

Pse nuk ndodhi liberalizimi?

Kur të gjithë e prisnin lajmin e madh, Johannes Hahn, Komisioneri për Politika të Fqinjësisë së Mirë dhe Negociata të Zgjerimit, në vizitën e tij të fundit në Kosovë më 3 dhjetor tha se liberalizim sivjet nuk do të ketë, por se mund të ndodhë në vitin 2020.

Se Kosova nuk është futur në agjendën e takimeve u tha edhe më 3 dhjetor, në prag të takimit të Këshillit të Ministrave.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është futur fare në agjendë”.

Kryeziu nga Instituti Epik, tregon se pse kosovarët nuk i morën vizat ndonëse përmbushën të 95 kriteret e kërkuara.

“Skepticizmi i shfaqur nga Këshilli i BE-së bazohet në mungesën e rezultateve të Kosovës në kuadër luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“Dy vjet pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim përfundimtar dënues të profilit të lartë”.

Çështja e liberalizimit të vizave ka qenë dhe vazhdon të mbetet pjesë e agjendave politike të liderëve të njëpasnjëshëm – agjenda këto që iu kushtojnë kosovarëve me bllokim të lëvizjes së lirë nëpër Europë.

Të ngjashme