Vizat për kosovarët, çka pritet të ndodhë nesër në Bruksel?

Prishtinë | 08 Nën 2022 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Grupi Punues i Këshillit Evropian të BE-së mblidhet të mërkurën në Bruksel për të diskutuar çështjen e heqjes së regjimit të vizave për Kosovën.

Pas një muaji nga mbledhja e fundit, Grupi Punues për vizat i Këshillit Evropian rikthehet në një mbledhje dy-ditore që mbahet më 8 dhe 9 nëntor.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ndodhet në pikën tre të rendit të ditës së Grupit Punues.

Ndryshe, në prag të diskutimit të dytë të grupit punues për vizat në Këshillin e BE-së, Presidenca çeke ka dërguar një “dokument ndërinstitucional”, në të cilin tashmë është përfshirë edhe kërkesa e Francës e paraqitur në takimin e parë, më 13 tetor.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në këtë dokument, i cili është bazë për diskutimet që do të zhvillohen më 9 apo 10 nëntor, në takimin e radhës të grupit punues për vizat të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Propozimi i ndryshuar i Presidencës çeke të Këshillit të BE-së përmban kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me “nisjen efektive të sistemit ETIAS”, si dhe kërkesat ndaj Kosovës që deri në hyrjen në fuqi, të përmbyllë marrëveshje për riatdhesim me ato vende të BE-së me të cilat nuk ka marrëveshje të tilla deri më tash, si dhe ta përshtatë edhe më tej politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian.

“Heqja e vizave do të vlejë vetëm për bartësit e pasaportave biometrike të lëshuara në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), dhe nuk do të zbatohet deri në nisjen efektive të operimit të Sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS)”, është formulimi i ri në draftin e fundit të tekstit të propozimit për vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sistemi digjital, ETIAS, synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Në takimin e parë të grupit punues, Franca kishte kërkuar që liberalizimi të lidhet me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS, por një numër i madh shtetesh dhe Komisioni Evropian këtë e kishin quajtur “të panevojshme” pasi hyrja në fuqi nuk varet nga Kosova dhe se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Hyrja e plotë në fuqi e ETIAS-it ishte shtyrë disa herë dhe afati i ri i vendosjes në përdorim të plotë është nëntori i vitit të ardhshëm.

Në tekst është shtuar edhe kërkesa që Komisioni Evropian në monitorimin që do ta bëjë pasi të liberalizohen vizat, të vëzhgojë edhe përshtatjen e Kosovës me regjimin e vizave të BE-së, që ka të bëjë me regjimin e vizave për vendet e treta.

Franca e ka nxjerrë këtë kusht qysh në takimin e një grupi punues të Këshillit të BE-së për vizat.

Ka pasur raporte se ai është mbështetur edhe prej së paku katër shteteve të tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë, por disa udhëheqës individualë të bllokut kanë shprehur vazhdimisht rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Më 12 tetor, Komisioni ka lëshuar edhe një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.

Nga Republika Çeke, e cila mban presidencën e Këshillit Evropian deri në fund të vitit 2022, kanë thënë disa herë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të tyre.

Të ngjashme