Vizita e Cameron në Kosovë, Dauti: E rëndësishme, e rikonfirmoi mbështetjen e Britanisë

Prishtinë | 04 Jan 2024 | 17:50 | Nga Ekonomia Online


Daut Dauti, gazetari shqiptar në Londër, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, për vizitën e ministrit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron në Kosovë, ka thënë se nuk sjellë asgjë të re, por është e jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Nuk sjellë asgjë të re sepse David Cameron rikonfirmon edhe një herë politikën e jashtme të qeverisë britanike ndaj Kosovës, që është politikë e një miqësie të ngushtë”, ka thënë Dauti.

Dauti ka thënë se Britania e Madhe ende paraqitet si mikja më e ngushtë e Kosovës në Evropë.

“Në një lloj mënyre luan rolin e një protektori apo mbrojtësi të Kosovës dhe kjo është shumë me rëndësi”, ka thënë tutje gazetari shqiptar në Londër.

Sipas gazetarit Dauti, çështja e sigurisë e bën shtetin britanik të interesohet për Ballkanin.

“Qeveria britanike si primare e ka marrë vizitën e trupave britanike në Kosovë dhe pastaj takimet e tij me udhëheqësit e Kosovës. Do të thotë çështja e sigurisë është ajo që e bën shtetin britanik të interesohet për Ballkanin”, ka shtuar ai.

Ndërsa për deklaratën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq për vizitën e Cameron-it në Kosovë, Dauti është shprehur se gjuha e tij nuk lejohet të përdoret në diplomaci.

“Është shumë e çuditshme një gjuhë e tillë. Ndoshta po duket në vitet e fundit superfuqitë nuk janë duke ia marrë për të madhe Serbisë çfarëdo që ajo thotë, përndryshe po të ishte ndodnjë shtet tjetër do t’i dilte problem në qeverinë britanike. Nuk besoj se do të reagoj askush për këtë punë”, ka shtuar tutje Daut Dauti.

Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron ka vizituar sot Kosovën dhe është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Cameron ka thënë se Britania e Madhe vazhdon ta mbështesë, ta ndihmojë dhe ta promovojë Kosovën, në të gjitha mënyrat që mundet.

Në një konferencë të përbashkët me ministren e jashtme, Donika Gërvalla, në Prishtinë, Cameron ka theksuar se Britania do të ndihmojë në betejën për tu njohur në forume ndërkombëtare.

Lexo dhe: Cameron: Do të vazhdojmë t’i ndihmojmë Kosovës në të gjitha mënyrat që mundemi

“Ne folëm këtë mëngjes për sigurinë dhe rëndësinë e kontributin që mund të japim në këtë drejtim, duke pasur parasysh edhe rolin e madh që kemi në kuadër të KFOR-it. Jemi këtu që t’ju suportojmë, t’ju promovojmë dhe t’ju ndihmojmë në çdo mënyrë që ne mundemi. Keni pasur sfida të forta në korrupsion, por sfida kryesore është për të ndërtuar një shtet i cili është i sigurt për të gjitha komunitetet. Faleminderit për të gjitha diskutimet, sigurisht do t’ju ndihmojmë në betejën për tu njohur në forume ndërkombëtare, që është e rëndësishme dhe e meritoni. Ne ju suportojmë ju”, ka thënë ai.

Ndërsa, ministrja Gërvalla-Schwarz, ka thënë se ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova të jetë pjesë e Perëndimit.

“Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm, atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, ka thënë Gërvalla.

Lexo dhe: Gërvalla: Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm, kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur

Ajo e ka falënderuar Cameron-in për mbështetjen e vazhdueshme që Britania po i jep Kosovës në fusha të ndryshme.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me Cameron-in ka ritheksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, “duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, si hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë”.

Lexo dhe: Osmani: Me Cameron-in diskutuam për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, sulmin terrorist në Banjskë

“Presidentja Osmani falënderoi sekretarin Cameron për mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar përgjatë viteve, përfshirë edhe mbështetjen diplomatike në procesin e integrimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Ministri i Jashtën i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka vizituar dhe KFOR-in, ku është pritur nga komandanti i misionit, Özkan Ulutaş.

Kështu ka bërë të ditur KFOR-i, përmes një postimi në rrjetin social X.

Lexo dhe: Cameron në KFOR, Ulutaş e falënderon për kontributin e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar

“Gjatë takimit, Komandanti i KFOR-it shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar në misionin e KFOR-it”, thuhet në postim.

Të ngjashme