Shqipëria mbetet partner i vjetër i SHBA-së dhe aleat i NATO-s. Këshkru shkruan Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa ndan detaje në lidhje me vizitën e tij në Tiranë më datë 15 shkurt,.
Vlerësimet i nisi fillimisht për ndihmën e Shqipërisë për popullin afgan.
“Javën e kaluar bëra udhëtimin tim të parë si Sekretar në Shqipëri, një partner i vjetër i SHBA-së dhe aleat i NATO-s, dhe më pas iu bashkova zv/presidentes Harris në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Në Shqipëri, me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama diskutova mbështetjen tonë për rrugën e saj drejt BE-së, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan Blinken.
Sekretari i Shtetit theksoi se është takuar po ashtu edhe me ekipin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë, që punon çdo ditë në prioritetet kryesore të politikës së jashtme, duke përfshirë rivendosjen e mijëra aleatëve afganë.
“Ndihma e Shqipërisë në këtë përpjekje mishëron humanizmin dhe traditën e saj të rrënjosur thellë për t’u kujdesur dhe për të strehuar personat në nevojë”, u shpreh ai.
“Në Mynih, u angazhova me liderë globalë për të nënvizuar mbështetjen tonë për Ukrainën, për të diskutuar punën tonë për të arritur paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj sigurisë transatlantike”, vijoi Blinken.
“Unë iu bashkova ministrit të Jashtëm gjerman, Baerbock dhe ministrit indian të Punëve të Jashtme për një forum publik, ku trajtuam kërcënimet e vazhdueshme ndaj paqes dhe sigurisë globale. Dhe në një takim të ministrave të Jashtëm në kuadër të konferencës, homologët e mi të G7 dhe unë dënuam ashpër agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. U larguam më të fortë dhe më të bashkuar për të përballuar sfidat e sotme”, shkruan Blinken në Instagram.