“Vizitat e fëmijëve te dentisti të bëhen të detyrueshme”

Prishtinë | 20 Mar 2021 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Dentisti i fëmijëve Xheladin Ujkani, njëherit udhëheqës i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Oral, kërkon nga qeveria në ardhje, përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë, që vizitat e fëmijëve te dentisti të bëhen të detyrueshme para moshës tre vjeçare.

Duke marrë parasysh se dhëmbët e qumështit kompletohen para moshës tre vjeçare, nëse jo më herët, kjo do të duhej të ishte mosha më e përshtatshme për vizitën e parë te dentisti dhe kjo të ndodhë edhe në rastet kur të gjithë dhëmbët janë të shëndoshë. Në rastet tjera, vizitat të bëhen edhe më herët. Prindërit duhet të jenë ndërmjetësues të krijimit të raporteve miqësore në mes të fëmijëve të tyre dhe dentistëve, thotë Ujkani.

Në hulumtimin e fundit, Ujkani është fokusuar tek mosha mesatare dhe vlerësimi i gjendjes së shëndetit oral tek fëmijët që kanë vizituar dentistin për herë të parë. Mosha mesatare e fëmijëve ka rezultuar të jetë mosha pesë vjeçare, ndërsa mesatarja e dhëmbëve të prishur tek ky grup i fëmijëve ka qenë mbi dhjetë dhëmbë të prishur.

Sipas Ujkanit, implementimit të këtij programi për vizitat e detyrueshme të fëmijëve te dentisti, duhet t’i paraprijë fillimi i implementimit të ligjit për sigurime shëndetësore dhe trajnimi i stomatologëve për punë me fëmijë.

Po ashtu, dentisti i fëmijëve kërkon edhe nga Ministria e Arsimit që gjatë regjistrimit të fëmijëve në klasën e parë, të kërkojnë nga prindërit edhe konfirmimin për gjendjen e dhëmbëve, sidomos mollarëve të parë të përhershëm të cilët fillojnë të dalin rreth moshës pesë-gjashtë vjeçare, në fund të harqeve të dhëmbëve të qumështit.

Prindërit duhet t’u kushtojnë rëndësi këtyre dhëmbëve, për shkak se duke menduar se edhe këta janë dhëmbë të qumështit, te një pjesë e madhe e fëmijëve, ende pa arritur moshën shtatë-tetë vjeçare, po dëmtohen aq shumë, duke rrezikuar kështu shpesh here edhe nxjerrjen e parakohëshme të tyre. Në mesatare, fëmijët e moshës gjashtë-shtatë vjeçare, ku kanë dalur katër molarët e parë të përhershëm, së paku dy prej atyre dhëmbëve i kanë të prishur. Kjo është vertetuar edhe nga një hulumtim që kemi kryer tek këto grupmosha.

Nga Ministria e Arsimit kërkon edhe ndalimin e futjes së ushqimeve të dëmshme në objektet shkollore, sidomos ushqimet me shumë krip, shumë sheqer dhe pijet e gazuara e po ashtu edhe investimin në ndërtimin e kuzhinave në brendësi të objekteve shkollore, ku fëmijët do të kishin mundësi të ushqehen shëndetshëm. Kjo do të ndikonte në ruajtjen e shëndetit të dhëmbëve, shëndetit të pëgjithshëm dhe në sigurinë e tyre.

Realizimi i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur” nga fillimi i implementimit në vitin 2012, vazhdimisht monitorohet dhe bazohet në rekomandimet e Komitetit ndërministror të programit ”Shkollat Promovuese të Shëndetit” nga Ministria e Arsimit, Shkëncës dhe e Teknologjisë (MASHT), Ministria e Shëndetësisë (MSH), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS).

Të ngjashme