Emërimi i këshilltarëve të lartë tregon se Gjermania dhe Franca duan t’i japin shtytje dialogut

Prishtinë | 08 Sht 2022 | 09:05 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ardhja në Kosovë e emisarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga dy këshilltarë të sapoemëruar, njëri nga Gjermania dhe tjetri nga Franca, nga analistët po shihet si shtytje e re në dialogun Kosovë – Serbi, raporton Ekonomia Online.

Krahas kësaj, njohësit e çështjeve politike, e vlerësojnë si angazhim të shtuar diplomatik të evropianëve dhe amerikanëve për intensifikim dhe përmbyllje të dialogut.

Analisti politik, Fidan Ukaj, thotë për Ekonomia Online, se emërimi i këshilltarëve të lartë nga Gjermania dhe Franca jep shenja se këto dy vende duan t’i japin impulse të reja dialogut.

Angazhimin e tyre, Ukaj nuk e sheh si presion, por si kërkesë të fundit që ky dialog të përfundojë me njohje reciproke.

“Siç duket tashmë dialogu Kosovë-Serbi ka marrë një dinamikë të re dhe pos emisarëve Lajçak dhe Escobar, tashmë kemi të angazhuar edhe dy këshilltarë personal të zotëri Shqolz dhe Macron, dhe këta dy do të bashkohen me ekipin e emisarit Lajçak më 9 shtator, dhe kjo e dëshmon dinamikën e re që do të jetë në dialog, që do ta ketë marrëveshjen përfundimtare me njohjen në qendër, që do t’i hapte rrugë integrimit për në Bashkimin Evropian të Kosovës dhe Serbisë”, tha Ukaj.

“Po në bazë të dinamikës që po shihet në terren, tregon më së miri se marrëveshja është afër dhe përpjekjet maksimale që kjo marrëveshje të arrihet brenda këtij viti dhe të përfundojë saga e këtyre bisedimeve për më shumë se një dekadë. Po me këtë dinamikë të shtuar dhe dakordsimet e marrëveshjeve të fundit, unë besoj se do të ketë një marrëveshje finale dhe do të përfundojë ky proces i dialogut”.

E analistja Magbule Shkodra, thotë se emërimi i këshilltarëve të lartë nga Gjermania dhe Franca jep shenja se këto dy vende duan t’i japin impulse të reja dialogut.

“Rëndësia është e madhe, me këtë në fakt gjermania dhe Franca po tregojnë seriozitetin e tyre për t’u marrë me dialogun dhe jo vetëm me kaq, dhe unë mendoj që angazhimi i dy këshilltarëve të jashtëm nga Macron dhe Shqolc, tregon se ata janë të interesuar që të përfundojë marrëveshja finale, dhe të saktësohen detajet e saj. Këta dy këshilltarë në mënyrë direkte do t’i informojnë Shqolz dhe Macronin për ecurinë dhe propozimet”, u shpreh Shkodra.

Ish-zëvendësministrja emërimin e dy këshilltarëve nuk e sheh si presion ndërkombëtar por interesim.

Madje sipas saj, administrata amerikane ka folur për urgjencën e këtij dialogut, sidomos në kontekst të zhvillimeve të këtyre gjashtë muajve në Evropë, mbas agresionit rus kundër Ukrainës.

“Unë nuk do ta quaja presion, unë do të thosha një interesim shumë më serioz për shkak të rrethanave gjeopolitike të krijuara me luftën në Ukrainë, pastaj kriza ekonomike dhe energjetike, të gjitha këto po ndikojnë që në mënyrë serioze t’i qasen problemit. Nuk do të ishte në interesin e askujt që në ndonjë mënyrë të ndodh ndonjë lloj konflikti në Ballkan, dhe kjo tregon seriozitetin e tyre se më të vërtetë është koha që të zgjidhet edhe kjo çështje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Shkodra.

Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, dy këshilltarët e emëruar nga Gjermania dhe Franca për dialogun Kosovë-Serbi, do të qëndrojnë për vizitë të premten në Kosovë.

Plettner dhe Beaune së bashku me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak do të vijnë në Kosovë për të diskutuar për hapat e mëtejmë në kuadër të dialogut.

Të ngjashme