Vjen për herë të parë në Sunny Hill – kush është PAWSA, një nga emrat më të kërkuar të muzikës elektronike

Prishtinë | 21 Qer 2026 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

DJ i njohur britanik PAWSA (emri i vërtetë David Esekhile) do të jetë një nga emrat kryesorë që do të performojë për herë të parë në Sunny Hill Festival këtë verë, duke sjellë në Prishtinë një prej stileve më të kërkuara të muzikës elektronike në botë.

I lindur dhe rritur në Londër, PAWSA është një nga figurat më të respektuara të skenës ‘minimal tech house’, i njohur për tingujt e tij karakteristikë me ritme të fuqishme, elemente të muzikës së vjetër ‘house’ dhe energji të vazhdueshme që dominon pistat e kërcimit.

Ai është bashkëthemelues i label-it shumë të suksesshëm “Solid Grooves Records”, së bashku me Michael Bibi, një platformë që është shndërruar në një nga emrat më me ndikim në muzikën ‘house dhe techno’ në botë.

PAWSA është gjithashtu i njohur për projekte të veçanta dhe bashkëpunime që kanë tërhequr vëmendjen e skenës globale elektronike.

Me hite të fuqishme si “Dirty Cash (Money Talks)” dhe “PICK UP THE PHONE”, si dhe përfshirjen në projekte të ndryshme anonime dhe bashkëpunime, ai konsiderohet sot si një nga producentët më kreativë dhe më të kërkuar në industrinë e muzikës elektronike.

Sunny Hill Festival tashmë është vendosur si një nga festivalet më të mëdha dhe më të rëndësishme në rajon, duke sjellë çdo vit emrat më të mëdhenj të muzikës botërore dhe duke krijuar një atmosferë unike për mijëra fansa nga e gjithë bota.

Edicioni i sivjetmë do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Bërnicë, duke e shndërruar Prishtinën në një nga qendrat kryesore të muzikës verore në Evropë.

Me një ‘line-up’ gjithnjë e më të fortë dhe artistë të kalibrit botëror si PAWSA, Sunny Hill vazhdon të rrisë standardet e festivaleve në rajon dhe të tërheqë vëmendje ndërkombëtare.

Të ngjashme