Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Mbeturinave Komunale (AMK) për vitin 2018. Rezultatet e AMK-së 2018, tregojnë se sasia e mbeturinave komunale, e grumbulluar nga kompanitë rajonale të mbeturinave dhe operatorët e tjerë ekonomikë privatë, që merren me menaxhimin e mbeturinave komunale në Kosovë, për vitin 2018 ka qenë 407 mijë tonë.
“Të dhënat e vitit 2018 tregojnë se mesatarja e mbeturinave komunale, të grumbulluara në Kosovë, ka qenë 227 kg për banor në vit”, thuhet në njoftim.
Në Prishtinë dhe në rajonin e saj, grumbullimi i mbeturinave komunale për ditë ka qenë 0.61 kg për banor në ditë. Ndërsa, në rajonet e tjera të Kosovës, sasia e mbeturinave komunale e grumbulluar për ditë, ka qenë 0.62 kg për banor.
Sipas ASK-së, në Kosovë, gjithsej mesatarja e mbeturinave të grumbulluara për banor në ditë ka qenë 0.62 kg/mbeturina/banor/ditë.
“Nga të dhënat e mbeturinave komunale, të grumbulluara sipas rajoneve për vitin 2018, vërehet se sasia më e madhe e mbeturinave të grumbulluara ka qenë në Rajonin e Prishtinës, 110 mijë tonë në vit, ose 223 kg për banor në vit; pastaj në Rajonin e Prizrenit, me 74 mijë tonë në vit, ose 213 kg për banor në vit. Ndërsa, sasia më e vogël e mbeturinave të grumbulluara ka qenë në Rajonin e Gjakovës me 30 mijë tonë në vit, ose 147 kg për banor në vit”, thuhet në njoftim.
Gjithsej, sasia e mbeturinave komunale e grumbulluar për vitin 2018, ka qenë më e ulët për 1%, krahasuar me vitin 2017.
Në vitin 2018, shkalla e mbulueshmërisë së ekonomive familjare (nga sistemi i grumbullimit të mbeturinave komunale) kanë qenë 76%.
Ndërkaq, gjithsej sasia e mbeturinave te deponuara në deponitë rajonale për vitin 2018, ka qenë 426 mijë tonë.