Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në emër të grupit parlamentar të kësaj partie, paraqiti një sërë kritikash për Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se ky projektligj po i jep legjitimitet presidentit të vendit dhe legalizon planet e tij, sipas saj, për copëtimin e vendit.
“Para nesh kemi një ligj që i jep legjitimitet presidentit dhe legalizon planet e tij për copëtim të vendit që deri tani nuk gjenin aleat por mbetnin nën plane ruso-serbe. Hap rrugë që negociatat për territor të vazhdojnë duke mos lënë asnjë vijë të kuqe për asnjë temë. Ky ligj lejon negocim edhe të shkëmbimit, asociacionit të komunave serbe etj. Ky ligj ka një kusht, që kur Thaçi të shkojë në Bruksel ti marrë edhe disa me vete, por disa të tjerë që nuk do lejojnë copëtim por që e legjitimojnë atë”, tha Osmani Sadriu.
Sipas saj, projektligji për kompetencat e delegacionit shtetërorë, është jo transparent.
“Gjithçka sa I përket marrëveshjeve ndërkombëtare përfshirë ato potenciale që mund të lidhen me Serbinë janë të rregulluara me nenin në kushtetutën e Kosovës. Pra me këtë po mundohet të bëhet materie kushtetuese. Sa i përket transparencës, kemi dëgjuar qeverinë të flas por ky ligj e bënë të kundërtën. E vranë transparencën, kësaj radhe edhe me ligj”, shtoi Sadriu.
Deputetja e LDK-së, kërkoi të dinte se me kë negociohet, cili është roli i presidentit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Pyetja ime është me kë do negociojë ky ekip derisa e përligj rolin e presidentit nëpërmjet këtij ligji dhe garanton që mund të vazhdojë negociatat për vendin. Me kë do negociojë, që në ligj thuhet 11 anëtarë por në fakt ka 12 anëtarë. A është presidenti anëtari i 12 që nuk është përmend. Si është e mundur që kemi përmend 8 emra të opozitës kurse në ligj flisni për emra krejt të tjerë. U tha që timoni do ti jepet kuvendit por nëse lexojmë timonier është një zëvendëskryeministër dhe një kryetar komune. Madje po tentoni me eliminuar rolin e kuvendit. Po tentoni me formu një komision ad hock që të marr kompetenca që I takojnë grupeve parlamentare”, tha deputetja e LDK-së.
Ajo pohoi se ka shumë gjëra që duhet të eliminohen në këtë ligj, përderisa shtoi se duhet të fillohen me ndryshimet e amdandmenteve një nga një.