Vlerësohet lartë kontributi kombëtar e politik i Hajzer Krasniqit

Prishtinë | 25 Qer 2018 | 16:21 | Nga

Me rastin e ndarjes nga jeta të ish kryetarit të Komunës dhe veprimtarit, Hajzer Krasniqi, sot është mbajtur mbledhje komemoracioni, ku është vlerësuar lartë kontributi që Krasniqi dha për Vushtrrinë por edhe për Kosovën.

Përveç familjarëve, bashkëpunëtorëve e miqve në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe qytetarë dhe drejtues të LDK-së nga qendra dhe nga shumë qytete tjera të Kosovës, si Agim Veliu, Abdullah Hoti, deputetët Anton Çuni, Armend Zemaj, si dhe ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Ndarjen nga jeta të profesor Hajzer Krasniqit, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, e ka vlerësuar humbje të madhe jo vetëm për Vushtrrinë por edhe për Kosovën dhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Veliu ka theksuar kontributin e madhe të profesorit Krasniqi si në themelimin e degës së parë të LDK-së, në Këshillin për pajtimin e gjaqeve por edhe për shumë aktivitete me karakter kombëtar.

Në pamundësi që të marr pjesë për shkak të udhëtimit jashtë vendit, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, ka dërguar telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Krasniqit, i cili ka vlerësuar lartë punën e tij në shërbim të qytetarëve të Vushtrrisë për dekada të tëra. Në emër të institucioneve të Komunës, për jetën dhe aktivitetin kombëtar e institucional të profesorit Krasniqi, ka folur Afrim Namani, drejtor komunal i arsimit.

Ndërsa në emër të degës së LDK-së për aktivitetin e profesor Krasniqit në degën e LDK-së të cilën e drejtoi për një kohë të gjatë, ka folur Hysni Gërguri, kryetar dege i cili tha se gjithë aktiviteti i LDK-së për dekada lidhet ngushtë me emrin e profesorit Krasniqi.

Për nderimin që po i bëhet profesor Krasniqit, në emër të familjes të pranishmit i ka falënderuar Arbani, djali i të ndjerit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme