Avokati dhe njohësi i rrethanave në Kosovë e rajon, Azem Vllasi, e ka quajtur të rrezikshme idenë e përfolur për ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor.
Duke komentuar një letër të përfolur të kryeministrit slloven Janez Jansha për ridizajnim të kufijve në Ballkan, Vllasi ka thënë se kjo hartë e re ia kujton luftërat që ishin nisur pikërisht për këtë çështje.
“Kjo letër në fakt është një pamflet i rrezikshëm sepse na ofron si zgjidhje prekjen e kufijve…”, ka thënë ai në Desku të KOHËS.
Çfarë thuhej në planin për ndryshim kufijsh?
Pas raportimeve për “non-paperin” e Janez Janshës drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ku angazhohej për vizatim të ri kufijsh në Ballkan Perëndimor, mediumi slloven “necenzurirano.si” pati dokumentet në fjalë. Aty ishin tri pika kryesore për zgjidhjen për “Rrugën përpara për Ballkanin Perndimor”.
Në pikën e parë është përfolur për situatën aktuale. Aty thuhet se çështja kombëtare e serbëve, shqiptarëve e kroatëve nuk është e zgjidhur e se “duke u bazuar në metodat dhe ritmin ekzistues të zgjidhjes së problemit, është e vështirë të imagjinohet një perspektivë evropiane për Serbinë dhe Kosovën, e anëtarësim me të drejta të plota në BE për Bosnjën dhe Hercegovinën”.
Në pikën e dytë janë theksuar idetë për “zgjidhjen e problemit”.
Gjithçka nis me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, sipas dokumentit në fjalë. “Në Kosovë, 95 për qind e popullatës dëshiron bashkimin me kombin origjinë. Situata është e ngjashme edhe në Shqipëri. Kufiri në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, de facto nuk ekziston. Pjesës serbe të Kosovës t’i garantohet një status special (sikur modeli i Tirolit Jugor)”, thuhet në pikën “a” të “zgjidhjes”.
Aty më pas kërkohet bashkimi i territorit të Republikës Serbe me Serbinë. “Çështja e kombit serb do të zgjidhej në masë të madhe po që se bashkohet një pjesë e madhe e Republikës Serbe me Serbinë. Në këtë rast, Serbia do të pajtohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.
Për kroatët është propozuar bashkimi i kantoneve kroate të Bosnjë e Hercegovinës me Kroacinë dhe sigurimi i një statusi special të pjesës kroate në Bosnje e Hercegovinë, me modelin e njëjtë sikur të Kosovës.
Te boshnjakët, do të sigurohej funksionimi i shtetit të pavarur dhe përgjegjësia e plotë për të. Është përmendur edhe çështja e një referendumi për njerëzit që të zgjedhin mes BE-së dhe një të ardhmeje jashtë BE-së (sikur Turqia).
Për BE-në është propozuar që të lansojë implementimin e një programi të përgjithshëm ekonomik për stabilizim, infrastrukturë më të mirë dhe energji për rajonin.
Hapat që duhet ndjekur, sipas dokumentit të përfolur, janë në “procedurë të heshtur” me liderët e rajonit. Përmendet edhe bashkërendimi i qëndrimeve me liderët ndërkombëtarë.
Aty shtrohet nevoja për një program i përgjithshëm i komunikimit për të prezantuar planin në publik duke marrë parasysh qëndrimet në pjesë të caktuara të rajonit.
Nëse për planin pajtohen BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e liderëve rajonalë, plani duhet të iniciohet dhe formalizohet nga BE-ja, gjithnjë sipas dokumentit.