VMRO-DPMNE-ja opozitare ka vendosur të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend, por këtë ajo e ka kushtëzuar me disa kërkesa politike, para se gjithash me vendosjen në rend ditë si pikë e parë të Kuvendit, votëbesimin e Qeverisë.
“Hapi i parë i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së do të jetë nisma për votimin e mosbesimit të Qeverisë, pasi nga ajo që kemi parë deri më tani bëhet fjalë për Qeveri me humbje të kredibilitetit, Qeveri e cila nuk punon për qytetarët dhe që po e fut vendin në humnerë. Deputetët e VMRO-së në detaje do të argumentojnë këtë qëndrim lidhur me Qeverinë arrogante dhe anti-shtetërore që duhet të shkojë sa më parë. Sa më shpejt aq më mirë për shtetin. Kjo Qeveri do të mbetet në kujtesë si Qeveria më e paaftë që nga pavarësia e Maqedonisë”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Kjo parti që nga formimi i Qeverisë së re para një viti ka nisur bojkotin në shenjë pakënaqësie ndaj formimit të Qeverisë nga LSDM-ja. Bojkotin e ka forcuar në veçanti pas zhvillimeve të 27 prillit në Kuvend dhe arrestimit të disa deputetëve të saj, të akuzuar për pjesëmarrjen në pushtimin e Kuvendit dhe dhunën e ushtruar ndaj deputetëve të LSDM-së dhe të Aleancës për Shqiptarët.
Mickovski tha se vendimi për kthimin në Kuvend ka për qëllim edhe parandalimin e ligjeve të dëmshme për qytetarët.
“Në periudhën derisa VMRO-DPMNE-ja nuk ishte në Kuvend, ata kanë miratuar shumë ligje pa konsultime me opozitën, siç është rasti me Ligjin për administratë publike, me të cilin i hapet rruga revanshizmit dhe punësimeve partiake. Në jemi të vendosur që të mos kalojë asnjë ligj pa reforma paraprake dhe pengimin e të gjitha ligjeve për të cilat vlerësojmë se janë në dëm të qytetarëve. Krimi dhe korrupsioni janë bërë shenja identifikuese të kësaj Qeveria, dhe ne këtë nuk do ra lejojmë”, është shprehur kreu i opozitës pas mbledhjes së organeve më të larta partiake të VMRO-DPNE-së.
VMRO-ja gjithashtu i ka dërguar LSDM-së edhe një listë me kërkesa tjera, e të cilat pritet të publikohen gjatë javës.
Ndryshe, vendimi për rikthimin e opozitës në Kuvend vjen pas takimeve intensive që kanë zhvilluar grupet e punës të VMRO-së dhe LSDM-së për miratimin e ligjeve reformuese dhe kërkesave të Brukselit që ato të mos kalojnë pa konsensus edhe më opozitën.
Raporti i Komisionit Evropian pritet të publikohet, më 17 prill, dhe pritjet e institucioneve janë për marrjen e një rekomandimi të pakushtëzuar për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Megjithatë, në një paraqitjen para opinionit, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, i ka bërë thirrje partive që të kapërcejnë dallimet dhe të arrijnë në konsensus për ligjet prioritare.
“Raportin që Komisioni Evropian do ta përgatisë, më 17 prill, paraqet edhe finalen e plani të reformave të Qeverisë i njohur si plani 3-6-9, i cili kthyer vendin në binarët e integrimit euroatlantik. Por, disa nga ligjet kryesore ende presin arritjen e konsensusit për votimin e tyre. Tani kur kanë mbetur edhe dy javë deri në publikimin e raportit, i bëjë thirrje të gjithë faktorëve politikë në vend për pjekuri, mirëkuptim dhe përgjegjësi që të ndërtojmë konsensus dhe të miratojnë këto ligje”, ka deklaruar Osmani.
Ligjet që kanë mbetur pa u miratuar, e që kërkojnë dy të tretat e votave, kanë të bëjnë me gjyqësorin, reformat në polici dhe shërbimet e inteligjenciës, për zgjedhjet e organeve drejtuese të transmetuesit publik, agjencisë e medieve dhe ligje tjera në sferën sociale dhe administratën publike.