Reagim të ashpër, anti-shqiptar, në lidhje me përfaqësimin e hendbollisteve në kuadër të grupit të pestë eliminator për botërorin e këtij viti pa simbole kombëtare, të hënën ka lëshuar Federata e Hendbollit e Vojvodinës, që funksionon në kuadër të Federatës serbe.
Kjo federatë ka vlerësuar se nuk bëhet fjalë për një fitore të madhe, si është paraqitur, por për një nënçmim të Serbisë, shkruan “Koha Ditore”.
“Pyesim se në çfarë mënyre ka fituar Serbia dhe ndaj kujt ka fituar, nëse e dimë që në territor të Serbisë do të luajë përfaqësuesja e të ashtuquajturit shtet të Kosovës dhe që të gjithë flamujt, simbolet shtetërore dhe himnet, pra edhe flamuri e himni i Serbisë, do të jenë të ndaluara. Kjo assesi nuk mund të jetë fitore, por objektivisht bëhet fjalë për nënçmim të Serbisë. Në momentin kur kreu shtetëror i Serbisë lufton për Kosovë, për të ruajtur traditën serbe dhe shenjtoret serbe, hendbolli do të luhet në Kragujevc, ku sigurisht ka shumë njerëz që janë pikërisht nga territori i Kosovës, janë ndjekur dhe kanë lëshuar shtëpitë e tyre. Ata dhe të gjithë ne do të përjetojmë që në zemër të Shumadisë do të jenë të ndaluara simbolet e Serbisë, flamuri, stema dhe himni dhe e tëra kjo për të kënaqur të ashtuquajturin shtet të Kosovës”, thuhet në reagimin e federatës së Vojvodinës.
Kjo federatë ka vlerësuar se është shkelur ligji i Serbisë për sport dhe ligje të tjera. Po ashtu, ka vlerësuar se ky vendim do të ngjallë revoltë te populli serb.
“Propozojmë që të ndryshohet vendimi, që turneu të anulohet apo që nikoqir të jetë ndonjë vend tjetër, ku ky vendim do të jetë më pak i turpshëm dhe i dhimbshëm për popullin tonë”.