Vendosja për rinumërimin e më shumë se 800 vendvotimeve, do të ndikojë në vonimin e institucioneve shtetërore.
E këto vonesa nga njohësit e rrethanave ekonomike në vend, po shihen si të dëmshme për ekonominë vendit, e që do të ndikojnë drejtpërdrejt në ngecjen e realizimit të projekteve kapitale.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini në një prononcim për Ekonomia Online thotë se Kosova sa më shpejt duhet t’i formojë institucionet dhe që Kosovës t’i jepet mundësia nëpër institucionet ndërkombëtare dhe që të merr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar.
“Vakuumi institucional ka ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit dhe kjo reflekton edhe te investimet e brendshme dhe ato të jashtme dhe kjo është gjëja më e keqe që i ndodh Kosovës dhe është bërë traditë që të vonohen”.
“Prandaj sa më shpejt që Kosova t’i formon institucionet e veta për qeverisjen e vet neve na hapet mundësia që Kosova të tenton të ateron nëpër institucionet e ndryshme ndërkombëtare dhe të krijon mundësi për tërheqjen e vëmendjes të faktorit ndërkombëtar për njohjen e Kosovës dhe për investime të huaja që janë tepër të nevojshme për ekonominë e vendit sepse ekonomia e Kosovës përkundër që ka parametrat pozitiv, gjendja reale është tepër e rëndë dhe qytetarët e vendit mezi po presin që të marrin një vizë dhe të ikin nga Kosova dhe gjithë kjo ndodh nëse institucionet e vendit do të zvarriten që të formohen”, thotë ai.
Shahini pohon se investimet e huaja në vitin e kaluar kanë qenë rreth 50 milionë më pak dhe kjo lidhet dhe me rritjen e papunësisë në vend, ndërsa ka pasur rreth 12 mijë punëtorë më pak.
Thotë se investimet kapitale Kosova i ka të orientuara në infrastrukturë, andaj duhet një strategji që mos të ketë ngecje në integrim dhe në investime.
“Investimet kapitale ne i kemi orientuar në infrastrukturë por në mungesë të një strategjie kombëtare ne nuk kemi ende një mision të veçantë se çka i mungon Kosovës. Neve na mungojnë investimet në të gjithë sektorët e vendit dhe ne nuk dimë cili është sektori më prioritet në vend dhe për të investuar aty. Secila qeveri i ka prioritetet e veta dhe asnjëherë nuk ka strategji kombëtare. Ne kemi disa projekte të proklamuar nga qeveritë e Kosovës që do të investohen në nje drejtim, kurse tash qeveritë e ardhshme thonë që nuk ka interes për investime. Kosovës i duhet një strategji që Kosova të mos ngecë as në integrime dhe investime”.
Në anën tjetër njohësi i çështjeve ekonomike, Naim Gashi në një prononcim për Ekonomia Online, thotë se Qeveria e ardhshme nuk duhet të praktikojë vonimin e formimit të institucioneve si të Qeverisë së vitit 2017.
Në të kundërtën, sipas tij, do të reflektojë negativisht në realizimin e projekteve kapitale.
“Unë besoj që Kosova nuk do ta praktikoj vonimin e formimit të institucioneve si në vitin 2017, sepse këto reflektojnë negativisht në realizimin e projekteve të mëdha kapitale por edhe të investimeve të jashtme. Shpresoj që qeveria e re menjëherë të merret me miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm dhe njëkohësisht të fillon menjëherë zbatimi i projekteve kapitale të cilat janë me rëndësi jetike për zhvillimin makroekonomik”.
Sipas tij problem kryesor sa i përket investimeve të huaja është jo stabilitetit politik dhe mosfunksionimi i ligjit.
“Unë mendoj që problemi kryesor sa i përket investimeve nga jashtë është jo stabiliteti politik dhe mos mirë funksionimi i mirë i ligjit dhe korrupsioni i nivelit të lartë dhe favorizimi i disa kompanive të cilat në zhargonin ekonomik i quajmë monopole ekonomike të krijuara në 20 vitet e fundit. Unë besoj që fokusi i Kosovës është inkurajimi i investimeve të jashtme sepse janë jetike për gjenerimin e vendeve të reja të punës”, thotë ai.
Gashi thotë se procesi i privatizimit ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e vendit, pasi që ky proces është përcjell me një korrupsion të lartë.
“Procesi i privatizimit në Kosovës është përshkruar me një korrupsion gallopant dhe ne nuk kemi arritur që përmes procesit të privatizimit ti aktivizojmë resurset tona nacionale dhe fatkeqësisht pjesa dërmuese e këtyre kompanive kanë ndërruar destinim dhe në fakt kapacitetet prodhuese të cilat i kemi pasur ato janë shndërruar në objekte banimi dhe në fusha sportive dhe kështu që punëtorët i humbën vendet e punës dhe ekonomia i humbi kapacitetet prodhuese tha Gashi, raporton EO.
Procesi i numërimit të votave po vazhdon ende, ndërsa formimi i institucioneve shtetërore, duket se do të marrë kohë.