OJQ “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” ka publikuar raportin “Përfshirja e Vajzave dhe Personave me Aftësi të Kufizuar nga Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, në Edukim dhe Punësim në Kosovë”.
Në komunikatën e dërguar për media, thuhet se sipas këtij raporti vetëm 20% e vajzave të anketuara kanë përfunduar vetëm disa vite të shkollës, 7% nuk kanë ndjekur kurrë shkollën, ndërsa vetëm 7% kanë përfunduar universitetin.
Komunikata e plotë:
“Në këtë takim prezente ishte Ambasadorja znj. Pia Stjernval, nga Ambasada e Finlandës, e cila theksoi se të gjeturat nga raporti ishin shumë shqetësuese dhe alarmuese për të gjithë ne, dhe në këtë drejtim duhet të kemi veprime konkrete.
I pranishëm ishte edhe z. Driton Çaushi, nga partia PSD deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili shprehi falënderim për inicimin dhe krijimin e një raportit të tillë dhe informimin e gjerë për të dhënat e dala.
Gjithashtu, znj. Pirjo Säskilahti, nga Helsinki Deaconess Institute, falënderoj të gjithë për përkrahjen dhe krijimin e një raporti të tillë dhe njëkohësisht shprehi brengen e thellë për të gjeturat e dala nga raporti.
Sipas raportit del se vetëm 20% e vajzave të anketuara kanë përfunduar vetëm disa vite të shkollës, 7% nuk kanë ndjekur kurrë shkollën, ndërsa vetëm 7% kanë përfunduar universitetin. Fenomeni i braktisjes së shkollës nga respondentët e këtij grupi ndikohet dukshëm nga mungesa e mbështetjes nga prindërit/familja e tyre në aspektin e arsimit, mungesa e interesimit për shkollim, mungesa e kohës për shkak të përgjegjësive të tjera familjare, martesës së hershme etj. 85% nuk kanë marrë pjese asnjëherë në trajnime profesionale.
Niveli i punësimit të vajzave, del se 88 % nuk kanë qenë të punësuar, ndërsa vetëm 12% po. Shkalla e papunësisë së këtij grupi të synuar është shumë e lartë; shqetësues mbetet diskriminimi etnik dhe ai gjinor gjatë procesit të rekrutimit.
Sa i përket personave me aftësi të kufizuar nga radhët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, del se 45% nuk kanë ndjekur kurrë shkollimin, 20% kanë qenë në klasa speciale, ndërsa vetëm 20% kanë përfunduar shkollimin fillor, prej të cilëve 20% kanë qenë në klasa speciale, të tjerët në klasa gjithëpërfshirëse (analizoje edhe një herë tekstin). Niveli i papunësisë së personave me aftësi të kufizuara nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në këtë studim është tejet i lartë, 93% të të anketuarave nuk janë të punësuar aktualisht; problem kryesor në këtë aspekt është gjetja e një pune të përshtatshme për aftësitë e tyre të kufizuara. Po kjo arsye dekurajon këtë grup për të kërkuar punë ku 95 % nuk janë duke kërkuar. Shumica dërmuese e vajzave nuk janë aktualisht duke kërkuar punë; shqetësuese konsiderohen pengesat si përgjegjësitë familjare, mungesa e dijenisë për të kërkuar punë, mungesa e mbështetjes së bashkëshortëve dhe familjes rreth vendimit për të punuar.
Fenomeni i braktisjes së shkollimit vërehet edhe tek ky grup, kryesisht për shkak të vështirësive në të mësuar, shëndetit të dobët, mungesës së interesimit për shkollim, mungesës së transportit, barrierave gjuhësore, mungesës së mbështetjes nga prindërit/familja e tyre.
OJQ- VoRAE përmes këtij studimi ka synuar të kuptoj mendimet, pasojat, njohuritë dhe sjelljet sa i përket edukimit dhe punësimit të vajzave dhe personave me aftësi të kufizuar. Ky studim vjen si pjesë e një vizioni më të gjerë të VoRAE që fokusohet në mbështetjen e komuniteteve të lartpërmendura në Kosovë, përmes intervistave direkte, mbështetjes teknike dhe këshillave sa i përket punësimit, banimit, edukimit, dhe të drejtave të njeriut”.