Komisioni parlamentar për Legjislacion ka votuar me 7 vota për dhe 1 abstenim, Projektligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të zgjedhurve, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu tha se projektligji ka nevojë për shtim të amendamenteve
“Ky projektligj është i ngjashëm me atë që ka Shqipëria madje edhe gjuhen e ka të tillë. Ky projektligj ka nevojë për shumë amendamente”.
Anëtari i komisionit, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj tha se si projektligj është i nevojshëm.
“Si ide është e mire dhe mendoj që Kosovës i duhet një projektligj i tillë. Kur thash për me shty ne mbledhjen e ardhshme mendova me qenë edhe sponzorizuesi mirëpo pajtohem qe të vijë në grupe punuese”
Sami Kurteshi, deputeti i VV-së, tha se e përkrah në parim mirëpo që ka disa vërejtje.
“Unë e kam lexuar me vëmendje ligjin dhe jam që ky ligj te kaloj në parim. Kam një varg vërejtje parimore dhe teknike”.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi se tha se e përkrah në parim projektligjin.
“Unë e përkrah në parim dhe mendoj që duhet ta bëjmë një grup punues”, tha ai.
Gjithashtu edhe Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme është përcjellë për Kryesi.