Ka disa muaj që në Kosovë është bërë trend qarkullimi individual me trotinet elektrik si mjet transporti.
Kjo formë e transportit madje është shumë e përhapur në Prishtinë, e më së shumti vërehet në sheshe, aty ku ka qarkullim të dendur të këmbësorëve.
Mirëpo, shtimi i madh rrugëve i trotinetëve po del të jetë problem për prishtinasit. Kjo ngase në shesh, ata ankohen se vozitësit po qarkullojnë me një shpejtësi shumë të madhe, duke rrezikuar këmbësorët, e posaçërisht fëmijët.
Një prishtinas, në grupin “Network Prishtina”, ka thënë se personat me këta trotinetë po lëvizin deri në 30 km për orë në shesh.
Ai rrëfen se nipi i tij i vogël për pak sa nuk e pësoi nga ta.
“Dashamir të trotinetave dhe bicikletave elektrik, qe e frekuentoni sheshin vozitni me kadal dhe me sigurt se 25-30 ore ne shesh eshte shumë,as qe po ju vrejm qe ju kemi mrapa se pa zhurëm. Nipin e vogel sonte gati e shkeli ni vozites i quditshem edhe iki me shpejtesi”, ka shkruar ai.
E me këtë postim e ankesë, janë pajtuar edhe shumica dërrmuese e komentuesve. /Lajmi.net/