Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka thënë se Qeveria nuk ka pasur as nivelin bazik të transparencës me rastin e shkarkimit të drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj.
Sipas Vrajollit duhet të ketë një proces vlerësues i cili do të duhej të ishte bërë edhe publike për shkak se qytetarët kanë nevojë të dinë se cilat kanë qenë këto shkelje, a kanë rrezikuar jetën e qytetarëve këto shkelje apo për çfarë lloj shkeljesh bëhet fjalë.
“Të paktën një nivel bazik i transparencës, në lidhje me këtë proces do të duhej të kishte ndodhur, kjo nuk ka ndodhur, ndoshta arsyet do të mund jenë të ndryshme. Apo ndoshta mund të ketë edhe ndonjë implikim të ndryshëm, edhe bazë të mjaftueshme për një gjë të tillë. Ne për momentin nuk e dimë, mund të supozojmë. Për shembull është përfol për kohë të gjatë shkarkimi i tij se pritej të ndodhë, mbase edhe që nga fillimi i këtyre dy qeverisjeve të këtij viti”, ka thënë Vrajolli.
Ai ka shtuar se kemi pasur indikacione se ka pasur njëfarlloj konsensusi ndërmjet partnerëve në Qeverinë Kurti për shkarkimin e Qalajt, porse qasja ka qenë më ndryshe.
“Në atë kohë mendoj se është supozuar se shkeljet mund të gjinden vetëm se duhet të kërkohen dhe në njëfarë forme është aluduar se partnerët janë marrë vesh”, ka thënë ai.