Vrasja e Ilmi Lufajt me armën e shtetit

Prishtinë | 25 Qer 2017 | 14:07 | Nga

“Lufi i Luftës”. Këtë epitet ia kishte dhënë ish-komandanti i UÇK-së, Daut Haradinaj, ish-pjesëtarit të UÇK-së, Ilmi Lufajt, në akademinë përkujtimore kushtuar Lufajt pak orë pas vdekjes.

Njeriu i cili u nderua nga krerët e UÇK-së njihej në zonën e Dukagjinit për të bëmat e tij heroike gjatë luftës. Siç e përshkruante gjenerali Haradinaj, Lufaj kishte qenë pjesë e pothuajse të gjitha betejave të Dukagjinit.

Paslufta e kishte gjetur Lufajn me probleme. Ai ishte arrestuar me pretendimet për përfshirje në njëren nga pengmarrëjet më të gjata në vend por në fund ai kishte dalë i pafajshëm.

Probleme thuhet se ndodhën edhe mbrëmjen kur Lufaj u qëllua për vdekje.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, të cilin e nderoi Haradinaj dhe shumë eprorë të tjerë, ishte qëlluar për vdekje nga rreshteri i Policisë së Kosovës, Shefqet Kameraj.

Nderimet për luftëtarin e UÇK-së u panë si të ngutshme pasi një ditë më herët Policia në një njoftim të saj kishte paragjykuar se polici e qëlloi Lufajn në vetëmbrojtje.

Hetimet e mëtutjeshme dhe vendimi i gjykatës e treguan të kundërtën e asaj çfarë e tha Policia.

Nuk u desh shumë kohë dhe Prokuroria e Pejës e ndërroi cilësimin të cilin e dha Policia në orët e para ndërsa pamje filmike e dëshmitarë të rastit e bënë gjykatën të besojë që Lufaj nuk është qëlluar në vetëmbrojtje.

Dorasi Shefqet Kameraj, një polic në moshë nga Lëbusha e Deçanit, fshat shumë afër Strellcit ku u rrit Lufaj, e kishte përshkruar në gjykatë heroin e UÇK-së si një njeri jo të përshtatëshëm.

“Nuk kam pasë të bëj me një qytetar të thjeshtë dhe të ndershëm por me një të dyshuar i cili ka qenë 10 vjet i dënuar dhe ka shumë raste në Policinë e Deçanit për vepra të ndryshme penale”, kishte deklaruar Kameraj një ditë pas vrasjes në gjykatë.

Në ditët e para pas ngjarjes e në muajt në vijim shtëpia e Kamerajt u vu nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës. Frika nga hakmarrja e mundshme e bëri Policinë që të kujdeset për ruajtjen e familjes së rreshterit i cili po mbahej në paraburgim.

Si ndodhi rasti

Siç e përshkruan Prokuroria natën mes 18 e 19 prillit 2016, Ilmi Lufaj ishte mbledhur me shokët e tij në njërin nga lokalet në qendër të Deçanit.

Në atë kohë në Deçan ishin dëgjuar të shtëna me armë, të cila besohet se ishin gjuajtur nga dy vetura që ishin nisur në drejtim të Pejës.

Siç shkruhet në raportet e Policisë gëzhoja ishin hasur në qendër të Deçanit dhe përballë Stacionit të Policisë.

Në komunikimet e tyre Policia kishte ngritur alarmin se të shtënat erdhën nga një veturë Range Rover e cila po shkonte në drejtim të Pejës. Informacioni kishte ngritur alarmin dhe në dalje të Pejës Policia ndaloi veturën, e cila drejtohej nga Besfort Elshani.

Ky i fundit një mik i Ilmi Lufajt gjatë kohës kur po udhëtonte me makinë drejt Stacionit të Policisë së Deçanit e kishte telefonuar Ilmi Lufajn, duke i thënë se së bashku me Policinë po vinte në Stacionin Policor në Deçan.

Disa orë me herët Ilmi Lufaj bashkë me Besfort Elshanin dhe shokë të tjerë ishin duke qëndruar bashkë në Deçan.

Natën kur po zhvilloheshin këto ngjarje rreshteri Shefqet Kameraj ishte në shtëpi por kolegët e kishin ftuar t’u ndihmonte për ta shikuar vendin ku ishte shtënë me armë zjarri.

Konflikti

Siç pretendohet në dosjen e Prokurorisë, Kameraj kishte arritur në Stacion menjëherë pas thirrjes nga kolegët ndërsa në oborrin e Stacionit ishte përballur me Ilmiun, i cili kishte kërkuar nga Policia ta lironin mikun e tij Besfort Elshanin, i arrestuar pak më herët.

“Kam me ta q*** nënën, familjen krejt çka i ke të gjallë e të vdekur dhe nuk ke me qit kon ma jasht veç në hysh ka je dalë”, ishin fjalët e drejtuara nga Lufaj kundër Kamerajt, përshkruhet në aktakuzën e prokurorit, Haxhi Sinanaj.

Pas ofendimit Lufaj ishte larguar nga oborri i Stacionit Policor pas ndërhyrjes së tre policëve, duke u dërguar përballë pompës së benzinës “Al- Petrol”, e përshkruante rastin aktakuza.

Tutje Prokuroria nuk ka arritur ta sqarojë se pse pesë minuta pas sharjes rreshteri Kameraj kishte dalë jashtë Stacionit dhe kishte shkuar tek viktima.

Siç shkruhet në aktakuzë, Kameraj pesë minuta pas ofendimeve dhe fyerjeve të Lufajt, shkoi te viktima, nxori pistoletën dhe e goditi atë me një plumb në veshin e majtë.

Siç përshkruhet në aktakuzë, Lufaj kishte tentuar të ikte nga vendi i ngjarjes duke e lutur Kamerajn që të mos e godasë përsëri por Kameraj e kishte goditur viktimën për herë të dytë në kokë duke e lënë të shtrirë dhe pa shenja jete.

Disa muaj pas vrasjes, Prokuroria Themelore e Pejës, ngriti aktakuzë ndaj Shefqet Kamerajt për vrasjen e Ilmi Lufajt, duke e cilësuar si vrasje të rëndë me motive të hakmarrjes.

Siç shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë, Lufaj në momentet e tij të fundit i ishte lutur Kamerajt të mos e qëllonte por rreshteri i Policisë nuk ishte ndalur.

Vlerësimi i Prokurorisë ka ardhur pas disa muajsh hetime, ndërsa aktakuza sqaronte në tërësi incidentin.

Procesi gjyqësor

Në nëntor të vitit të kaluar në Gjykatën Themelore të Pejës nisi gjykimi ndaj Shefqet Kamerajt për vrasjen e Ilmi Lufajt.

Fillimisht seanca e parë u shty për shkak të gjendjes shëndetësore jo të mirë të Kamerajt.

Në asnjërin prej rasteve Kameraj nuk e kishte pranuar veprën e cila i ngarkohej.

“Jam i pafajshëm”, ishte deklaruar Kameraj.

Në procesin gjyqësor një varg kolegësh të Kamerajt janë ftuar të dëshmonin.

Ata deklaruan se natën kritike kishin dëgjuar Lufajn duke sharë rreshterin Kameraj, kurse më pas edhe të shtëna me armë zjarri.

Zyrtari policor, Avdi Shala, i cili ishte në detyrë natën kritike si përgjegjës i ndërrimit, gjatë dëshmisë së tij para Gjykatës tha së ishte brenda Stacionit Policor, kur në oborrin e Stacionit kishte dëgjuar disa britma.

“Te porta kryesore jashtë rrethojës së Stacionit kam vërejtë zyrtarin policor Enver Balaj duke u ballafaquar me Ilmi Lufajn që të largohet nga aty. Pastaj nga ana tjetër e rrugës ka ardhur edhe Abedin Çeku (zyrtar policor) dhe të tre e kemi larguar Ilminë në një distancë. Aty tek porta ka pasur sharje dhe fyrje në drejtim të rreshterit Shefqet Kameraj, sharje me nanë”, kishte deklaruar polici Avdi Shala.

Sipas tij, pasi e kishin larguar Ilmi Lufajn te një lokal përballë Stacionit Policor, ai ishte kthyer sërish brenda Stacionit Policor.

Më pas tha se, pas disa minutave, kishte dëgjuar dy të shtëna me armë dhe kishte dalë sërish për të parë çfarë ka ndodhur.

“Te porta hyrëse e kam takuar rreshterin Shefqet Kameraj, i cili ma ka komunikuar lajmin se ka shtënë në drejtim të Ilmiut. Më pas kemi hyrë në Stacion, ku me ka dorëzuar armën”, kishte thënë ai gjatë seancës.

Njëri nga dëshmitarët kryesor të këtij procesi gjyqësor ishte zyrtari policor Enver Balaj.

Balaj ishte dëshmitari okular kur Kameraj e kishte vrarë Ilmi Lufajn.

Në dëshminë e tij para trupit gjykues, polici Enver Balaj kishte treguar së pasi e kishin larguar Ilmi Lufajn, bashkë me kolegët e tij nga porta e Stacionit Policor, ai kishte qëndruar bashkë me të.

Ai tha së me pas e kishte vërejtur së dikush po i vinte prapa shpinës, derisa po qëndronte bashkë me Lufajn.

“I kam dëgjuar do fërkemë tu ardhë dhe tu thanë: kan e shan ti? Kur jam kthy e kam parë Shefqetin me revole në dorë. I kam çu dy duart edhe i kam thanë: pashë rizenë e Zotit largohu! Në atë moment më është mënjanuar dhe i kam dëgjuar dy krisma. Nuk kam parë asgjë pos viktimën e shtrirë në tokë”, kishte deklaruar ai.

Balaj po ashtu kishte deklaruar se nuk qëndron prapa deklaratave të dhëna me herët rreth këtij rasti.

Edhe polici Tahir Mazrekaj kishte dëshmuar në gjykimin e ish kolegut të tij, Shefqet Kameraj.

Mazrekaj tha se kolegu i tij, Enver Balaj, ia kishte kumtuar rastin se rreshteri Kameraj e kishte privuar nga jeta “Lufin”.

“Pastaj i kam dëgjuar dy krisma. I thash Abedinit: a dëgjove edhe ti? Tha: po. Jemi nisur në drejtim të Stacionit që të dalim të organizuar të shohim çka ka ndodhë. Kam vazhduar në drejtim të Stacionit, e kam takuar kolegun Enver Balaj te porta. I thash u dëgjuan dy krisma. Enveri më tha: Mozomakeq, rreshteri e vrau Lufin. I thash: kush o Lufi? Tha: Ilmi Lufaj. Tani i kam thanë të vazhdojmë me ndihmën e parë”, dëshmoi polici Mazrekaj.

Përveç policëve në gjykim dëshmoi edhe Besfort Elshani, i cili ishte arrestuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për të shtëna me armë në qendër të Deçanit.

Gjatë dëshmisë së tij Elshani tha se e kishte ftuar Ilmi Lufajn sepse atë ishte mysafir i tij.

“Duke shkuar në Stacionin Policor të Deçanit e kam njoftuar Ilminë se me ka ndalur Policia në Deçan dhe nëse ndodh diçka lajmëro familjen. E kam lajmëruar atë sepse kam qenë edhe i ftuar i tij edhe është i atij vendi”, kishte deklaruar Elshani.

Befort Elshani tha se pasi kishte dalë nga Stacioni i Policisë për t’u bastisur vetura nga rreshteri Kameraj, tek dera e oborrit e kishte vërejtur Ilmi Lufajn.

Elshani tregoi versionin e tij për konfrontimin e parë që kishte ndodhur atë natë mes Lufajt e Kamerajt.

“E ka kap Shefqeti i ka thanë me dal jashtë. Ilmia nuk e di saktë a ka dashtë me dalë a jo. Edhe pas dy sekondave e ka nxerrë pistoletën Shefqeti edhe ia ka drejtuar Ilmisë”, kishte thënë ai.

Elshani tregoi se Lufajn e kishin larguar tre zyrtarë policorë nga dera e oborrit të Stacionit Policor, kurse Kameraj ishte kthyer për t’ia bastisur sërish veturën.

Ai kishte deklaruar se pas 2-3 minutave, Kameraj ishte nisur në drejtim të Lufajt, që gjendej jashtë oborrit të Stacionit.

“Unë mbeta në oborr me një polic që e ka mbiemrin Shala, kurse pas disa momenteve dëgjova krisma, Më doket dy krisma kanë qenë. Pastaj polici me ka shti mua në dhomën e paraburgimit dhe nuk kam ditur çfarë po ndodhë”, kishte thënë Elshani.

Gjatë gjykimit në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan edhe polici Abedin Çeku dhe eksperti i mjekësor nga Instituti i Psikiatrisë së Forenzikës së Kosovës, Fahri Dervinja.

Polici Çeku kishte deklaruar së e kishte dëgjuar duke sharë Ilmi Lufaj rreshterin Shefqet Kameraj.

“E kam vërejtur unë Ilminë para Stacionit, këndej rrethojave. Porta e Stacionit Policor ka qenë e mbyllur, ndërsa ai ka qenë jashtë oborrit me Enver Balajn dhe Avdi Shalën (zyrtarë policorë). E kam dëgjuar Ilminë duke sharë Shefqetin. Shefqeti ka qenë brenda rrethojave. E ka sharë me nënë dhe familje dhe i ka thanë ‘shihemi masandej’. Pastaj jam kthyer dhe bashkë me dy kolegët e tjerë e kemi larguar në anën e kundërt të rrugës Ilminë”, kishte thënë Çeku.

Kurse, Fahri Dervinja, nga Instituti i Psikiatirsë së Forenzikës së Kosovës, tha së nga ekspertiza e bërë ndaj Shefqet Kameraj vrasja është kryer në afekt mendor.

“Qenësorja, esencialja ka qenë gjendja e tij emocionale, e cila ka dominuar në mendimin e sajuar në pikën tre (të ekspertizës me shkrim), gjendja e tina (të akuzuarit) e krijuar emocionale e cila gjendja e ka çuar deri në kryerjen e veprës. Ajo gjendja ka qenë një gjendje mjaft e ngarkuar emocionale, ka qenë një lidhje e shkurtër e cila nuk e ka lënë që të mendojë për pasojat e përdorimit të armës, në këtë mënyrë ka qenë në gjendje të rënduar emocionale e cila e ka dominuar arsyen”, kishte thënë eksperti.

Ajo çfarë e karakterizoi këtë proces gjyqësor ishte arrestimi i avokatit të të akuzuarit nga Policia e Kosovës gjatë pauzës së seancës gjyqësore.

Trupi gjykues për ketë rast e shtyu gjykimin, kurse i akuzuarit Shefqet Kameraj nuk dëshironte ta ndërrojë avokatin e tij.

Pas lirimit nga paraburgimi, trupi gjykues ia ndaloi hyrjen në gjykatë avokatit Haxhi Çekaj.

Mirëpo, avokati Çekaj, Gjykata e Apeli ia njohu të drejtën ta përfaqësojë sërish si avokat Kamerajn në këtëë procedurë penale.

Gjatë fjalës përfundimtare të palëve, Prokuroria dhe avokati i familjes Lufaj kërkuan që Shefqet Kameraj të shpallet fajtor për veprën penale – vrasje e rëndë, me motiv të hakmarrjes së paskrupullt.

Për ekspertizën e ekspertëve të psikiatrisë, Prokuroria dhe avokati i Lufajve kërkuan nga Gjykata të shpallet jokredibile.

Kurse avokati i Shefqet Kameraj, Haxhi Çekaj, kërkoi t’i jepet besimi ekspertizës së psikiatrisë të kryer ndaj klientit të tij.

Ish-rreshteri Kameraj në seancën ku u dha fjala përfundimtare shprehu keqardhje për vrasjen e Ilmi Lufajt. (KALLXO.com)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme