Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar lidhur me vrasjen e imamit Gazmend ef. Tahirhovci në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit.
Përmes, një reagimi BIK thekson se pavarësisht motiveve apo rrethanave të këtij rasti tragjik, askush nuk ka të drejtë ta privojë tjetrin nga jeta. Jeta e njeriut është dhuratë e Zotit të Madhëruar dhe cenimi i saj përbën një nga krimet më të rënda, të dënuara si nga feja, ashtu edhe nga ligji.
Reagimi i BIK-ut:
Me dhimbje të thellë dhe shqetësim morëm lajmin për vrasjen mizore të imamit Gazmend ef. Tahirhovci në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit.
Pavarësisht motiveve apo rrethanave të këtij rasti tragjik, askush nuk ka të drejtë ta privojë tjetrin nga jeta. Jeta e njeriut është dhuratë e Zotit të Madhëruar dhe cenimi i saj përbën një nga krimet më të rënda, të dënuara si nga feja, ashtu edhe nga ligji.
Dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt të rëndë kriminal të kryer ndaj imamit Gazmend ef. Tahirhovci dhe kërkojmë nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që autori i këtij krimi të marrë dënimin e merituar në përputhje me ligjin dhe drejtësia të vihet në vend.
Në këto çaste të rënda, i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së të ndjerit, xhematit të tij, si dhe të gjithë besimtarëve dhe miqve që e njohën dhe e vlerësuan.
Lusim Zotin e Madhëruar që familjes t’i japë sabër, forcë dhe durim për ta përballuar këtë humbje të rëndë, ndërsa imamin Gazmend ef. Tahirhovci ta falë dhe ta marrë në mëshirën e Tij.
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava