Gjykata Supreme e Kosovës, përmes aktgjykimit të 27 majit 2024 e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit për të akuzuarin Atdhe Musliu, duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Musliu se në bashkëkryerje me Labionot Bajramin e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin A.H. më 2023 në Fushë-Kosovë. Bajrami nuk e kishte pranuar fajësinë dhe ndaj tij ishte veçuar procedura. Gjithashtu, Musliu akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 tetor 2023 e kishte dënuar Musliun me 22 vjet burgim për veprën penale vrasje në bashkëkryerje dhe për armëmbajtje pa leje. Ky aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit të 6 shkurtit 2024.
Kurse, kundër këtyre aktgjykimeve, avokati i Musliut, Taulant Broqi kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe shkeljes së Ligjit Penal, duke propozuar që këto aktgjykime të anulohen dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Gjykata Supreme ka konstatuar se ankesa e avokatit Broqi është e bazuar, duke theksuar se duhet të shqyrtohet nëse në këtë rast janë plotësuar të gjitha kushtet për veçimin e procedurës dhe për miratimin e pranimit të fajësisë.
Mes tjerash, në vendimin e Gjykatës Supreme thuhet se pranimi i fajësisë nga ana e të dënuarit Musliu nuk është bërë në harmoni me dispozitat përkatëse të procedurës penale, duke pasur parasysh se ai ishte akuzuar se ka kryer veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje me të akuzuarin tjetër Labinot Bajrami.
“Andaj, në një situatë të tillë dhe duke i pasur parasysh edhe specifikat konkrete të këtij rasti, ndërlidhjen e veprimeve kryerëse të të pandehurve dhe rrethanat tjera të rastit, gjykata e shkallës së parë është dashur që me një përkushtim maksimal profesional të vlerëson nëse në këtë rast janë përmbushur kushtet ligjore për miratimin e pranimit të fajësisë nga ana e tani të dëmtuarit Atdhe Musliu”, thuhet tutje në këtë vendim.