Pas kthimit të rastit në rigjykim, Prokuroria Themelore në Gjilan, sërish ka kërkuar dënimin e Liridon Uruqit, i akuzuar për vrasjen e Fatlind Arifit, ngjarje kjo që kishte ndodhur më 28 korrik të vitit të kaluar, në Bresalc të Gjilanit.
Për këtë vrasje, Prokuroria e Gjilanit, të akuzuarin Uruqi, fillimisht e ngarkonte me tri vepra penale, për vrasje të rëndë, kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
Por, në fjalën përfundimtare, prokurori Agron Uka, ka bërë rikualifikimin e veprës penale, ku nga vrasje e rëndë, Uruqi tani akuzohet për vrasje të rëndomtë.
“Nëse i referohemi Gjykatës së Apelit, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ardhur në përfundim se vepra penale e vrasjes së rëndë, nuk ekziston, sepse duhet të ekzistojnë pasojat juridike lidhur me këtë vepër, e që në rastin konkret nuk janë përmbushur kriteret, dhe kemi shkaktimin e vetëm një pasoje, atë të vrasjes së viktimës. E rikualifikoj veprën penale nga vrasja e rëndë në atë të rëndomtë”, ka thënë prokurori Uka.
Ndërkaq, ai ka hequr dorë nga vepra tjetër penale, ajo e kanosjes, duke thënë se prokuroria në mungesë të provave dhe pas sugjerimeve të Gjykatës së Apelit, heq dorë nga kjo vepër penale.
Ai ka kërkuar nga gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, duke marrë parasysh të gjitha masat lehtësuese dhe rënduese ndaj tij.
Edhe përfaqësuesi i familjes së dëmtuar, avokati Hamdi Jashari, ka deklaruar se qëndron pranë fjalës përfundimtare të prokurorit Uka, duke shtuar se i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, janë munduar që elementin e dashjes ta heqin nga përgjegjësia, por që sipas tij, ajo ka ekzistuar në rastin e vrasjes së të ndjerit Fatlind Arifi, raporton Betimi për Drejtësi.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Uruqi, avokati Blerim Halimi, pasi fjalën e tij e dorëzoi me shkrim, duke e elaboruar atë, ka thënë që vepra penale e vrasjes së rëndomtë duhet të rikualifikohet në atë të vrasjes nga pakujdesia, dhe i mbrojturi i tij të shpallet fajtor për këtë vepër.
“I njëjti ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike, ka shprehur keqardhje, ka bashkëpunuar me organet kompetente, është në gjendje të rëndë ekonomike, andaj të merren parasysh këto rrethana për të mbrojturin tim”, ka thënë avokati Halimi.
I akuzuari Liridon Uruqi, në fjalën e tij të fundit, fillimisht i ka kërkuar falje familjes së viktimës, duke shtuar se nuk është fare e lehtë për të kjo gjë që ka ndodhur, dhe se është i gatshëm të jep çdo përgjegjësi ndaj familjes së të ndjerit.“
“Ma mirë t’isha kanë unë n’vend të tij, se sa ai”, ka thënë Uruqi.
Kryetari i trupit gjykues, Ramiz Azizi, shpalljen e aktgjykimit në këtë rast e ka caktuar të bëhet më 4 dhjetor 2019, në ora 15:00.
Gjykata Themelore në Gjilan, më 23 prill 2019, e kishte dënuar me 25 vjet burgim të akuzuarin Liridon Uruqi, pasi e kishte shpallur fajtor për vrasjen e Fatlind Arifit.
Për vrasje të rëndë, gjykata i kishte shqiptuar Uruqit dënim prej 23 vjetësh burgim, ndërsa për kanosje ai ishte dënuar me dy vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje, me një vit burgim.
Më pas, ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik prej 25 vjetësh burgim efektiv, i cili dënim do ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Në këtë dënim, të akuzuarit do t’i llogaritej edhe koha e kaluar në paraburgim nga 29 korriku 2018, e deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.
Po ashtu, ndaj të akuzuarit Uruqi ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskimi i armës me të cilën është kryer vepra penale.
Paraprakisht, Uruqi e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, por ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe asaj të kanosjes.
E pakënaqur me dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë, mbrojtja është ankuar në gjykatën e shkallës së dytë, nga e cila kishte kërkuar dënim më të butë apo edhe kthimin e lëndës në rigjykim.
Sipas ankesës së avokatit Blerim Halimi, kualifikimi i veprës penale si vrasje e rëndë nuk mund të qëndrojë, pasi sipas tij, në rastin konkret nuk ka pasur dashje nga ana e të akuzuarit, por vrasja kishte ndodhur nga pakujdesia.
Në anën tjetër, pala e dëmtuar përmes një përgjigje i kishte propozuar Apelit që të refuzojë ankesën e mbrojtjes.
E kërkesë të njëjtë për Apelin kishte paraqitur përmes një parashtrese edhe Prokuroria e Apelit, e cila i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë që të vërtetojë aktgjykimin e Themelores.
Gjykata e Apelit, më 12 shtator 2019, kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Ndryshe, sipas aktakuzës, më 28 korrik 2018, në fshatin Bresalc-Komuna e Gjilanit, i akuzuari Liridon Uruqi, me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje ka privuar nga jeta, tani të ndjerin Fatlind Arifi, në atë mënyrë që me revole ka gjuajtur në drejtim të tij, të cilin e godet në anën e majtë të kraharorit, me ç’rast nga plagët e marra i njëjti nuk ka mbijetuar dhe ka ndërruar jetë teksa po e dërgonin për në spital.
Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, i akuzuari Uruqi, sipas dispozitivit numër II të aktakuzës, me dashje, të njëjtën armë ia drejton fillimisht të dëmtuarve-dëshmitarëve K.H, dhe L.M, pastaj edhe të dëmtuarit-dëshmitarit G.A, duke e ngreh këmbëzën e revoles.
Në këtë mënyrë, sipas prokurorisë, ai ka kryer edhe veprën penale të mbetur në tentativë “Vrasje e rëndë”, nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 lidhur me nenin 28 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dispozitivit numër III të aktakuzës, i akuzuari pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, ka mbajtur në pronësi armën, me të cilin ka kryer vrasjen.
Me ç’rast, akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.