Një vrasje ka ndodhur dje në fshatin Pakashticë të Komunës së Podujevës. I vrarë ka mbetur një 30-vjeçar me inicialet M.K, derisa si i dyshuar për vrasje është arrestuar një 34-vjeçar me inicialet F.B.
Siç u raportua viktima dhe i dyshuari për vrasje ishin baxhanakë mes vete dhe se vrasja dyshohet se ka ndodhur aksidentalisht, derisa burrat po bënin gjueti në male.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
Ahmeti ka bërë me dije se në vendngjarje janë sekuestruar dy armë të gjuetisë.
“Sot rreth orës 16:00, kemi pranuar informatën për një rast të vrasjes që ka ndodhur në fshatin Pakashticë të Podujevës. Lidhur me këtë rast në vendngjarje, policia ka arrestuar një person të dyshuar: F.B mashkull 34 vjeç/ Në vendngjarje janë sekuestruar , dy armë e gjuetisë. Viktimë në këtë rast është M.K (mashkull), 30 vjeç, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se hetuesit policor janë duke punuar në koordinim me prokurorin për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.