Vrasja në QKUK, shteti dështoi ta mbronte 35 vjeçaren

Prishtinë | 01 Dhj 2022 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Mbrëmë brenda oborrit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është vrarë H.M, grua shtatzënë. I dyshuari për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj S.H me të cilin ka pasur probleme në mënyrë të vazhdueshme.

Siç njofton Gjykata Themelore në Ferizaj më datën 8 shtator të këtij viti, në zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave në Ferizaj është paraqitur kërkesa për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj tashmë të dyshuarit për vrasjen.

Më datë 13 shtator Gjykata kishte marrë vendim për urdhër mbrojtje duke i shqiptuar palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse masën mbrojtëse sipas Nenit 5 dhe 6 dhe Ligjit Për Mbrojtje nga Dhuna në kohëzgjatje deri më 13 mars 2023.

Në Nenin 5 specifikohet se me caktimin e urdhrit për mbrojtje “shqiptohet masa e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje, gjykata cakton vendin, regjionin dhe largësinë, brenda së cilës kryerësi nuk guxon t’i afrohet viktimës së dhunës në familje”. Pra sipas këtij vendimi, S.H e kishte të ndaluar t’i afrohej tashmë viktimës H.M .

Përgjegjës për zbatimin e këtij urdhri për mbrojtje siç ka njoftuar Gjykata Themelore në Ferizaj kanë qenë edhe Stacioni Policor në Lipjan, gjë që kanë dështuar ta bëjnë. Rastin më tragjik e bën edhe fakti se i dyshuari S.H është dënuar në shtator 2022 për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve

“Me datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje. Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023. Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës.Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka treguar se në gusht të vitit 2022 ishte ngritur aktakuzë ndaj S.H pasi i njëjti e kishte kanosur tashmë të ndjerën H.M.

Për rastin ishte mbajtur shqyrtimi fillestar , ku S.H nuk e kishte pranuar fajësinë për të cilën akuzohet. Ndërkohë më 18 nëntor kishte hedhur poshtë kërkesën e të dyshuarit S.H për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

“Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M. Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet. Gjykata në afatin prej 30 ditëve konform nenit 245, 249 dhe 250 të KPP-së, i ka njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësin e tij se mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Mbrojtësi i të pandehurit S.H. me datë 26.09.2022 ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Gjykata me datë 18.11.2022, ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave”, thekson njoftimi i Gjykatës.

Të ngjashme