Prindërit e të dyshuarit për vrasjen për pazare droge në fshatin Bracanj të Devollit të Shqipërisë thonë se i biri po mbahet padrejtësisht dhe pa prova.
Ata vetë dëshmojnë se djali ka qenë në shtëpi natën e krimit pranë varrezave të fshatit.
“Në orën 9:30 të mbrëmjes ka ardhur djali në shtëpi dhe ka ngrënë darkë. Ka qenë shumë i qetë, si gjithmonë. Në orën 05:30 ka ardhur policia dhe djali ishte në gjumë”, thotë e ëma e të ndaluarit.
Gjykata e faktit në Korçë la në fuqi masën e sigurisë arrest me burg 25 vjeccarin David Myrte i akuzuar si person përgjegjës për vrasjen e Zarif Alliu me mjete të forta dhe plagosjen e Mendar Burnazit, edhe gjykata e apelit ka lënë në fuqi të njëjtin vendim ndaj 25-vjeçarit.
“Si ka mundësi, pa u bërë me baltë, pa u gërvishtur një herë në përleshje me tre veta të bëjë një vrasje? Policia të ketë të dhëna të sigurta dhe pastaj të bastisë shtëpitë”, thotë babai i të ndaluarit, shkruan TCH.
Burime nga organi i akuzës bënë me dije se tashmë pritet dalja e ekspertizës së elementeve të tjerë të gjetur në vendin e ngjarjes si bishtat e cigares, shishet e ujit, copa prej druri që dyshohet të jetë dhe arma e krimit, por këto janë dërguar në Tiranë dhe do të verifikohet nëse ka gjurmë të përputhshem të ADN-së të cilat do të çonin në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe provave të krimit.