Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e hershme të mëngjesit në Ratkoc të Rahovecit ka ndodhur një vrasje.
Në njoftimin e Policisë thuhet se më 17.05.2017 në ora 02:00 stacioni policor në Rahovec ka marr informatë për një rast gjuajtje me armë zjarri në fshatin Ratkoc, saktësisht në afërsi të udhëkryqit që lidhet me fshatrat Denjë dhe Vrajak.
“Patrullat policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes dhe në atë lokacion kanë gjetur të shtrirë në skaj të rrugës një person të moshës rreth 25 vjeçar i cili kishte lëndime të dukshme në pjesën e kokës. Nga mjeku kujdestar i spitalit rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë është konstatuar se viktima është pa shenja jete”, thuhet në njoftim.
Identiteti i viktimës për momentin është i panjohur.
Po ashtu, është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe rasti po hetohet nga Sektori Rajonal për Hetime nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, në bashkëpunim me Prokurorinë Shtetit në Gjakovë.
Më tej në komunikatë thuhet se Policia e Kosovës me njësitë e saj relevante është duke punuar intensivisht në zbardhjen e rrethanave të këtij rasti dhe identifikimin e viktimës dhe personave të dyshuar të mundshëm.