Vuajtjet e futbollistit shqiptar nga sëmundja e “panjohur”

Prishtinë | 12 Pri 2021 | 08:57 | Nga Ekonomia Online

Mendonin se ai ishte i çmendur, por në fakt asnjëri nuk mund ta gjente sëmundjen e vërtetë. Ersid Pllumbaj duhej t’i luftonte paragjykimet dhe sindromin “Dunbar”. Sot, në moshën 31-vjeçare, ai është një hap larg që të shikojë dritën sërish. Dhe po ashtu edhe fushën të cilën e do shumë

Ersid Pllumbaj, sulmuesi shqiptar i lindur në vitin 1989, e kishte përfunduar stërvitjen me skuadrën e tij. Ditën tjetër ishte ndeshja e Kupës së Italisë me Creman, skuadrën nga Serie D, ku ai vetëm sa kishte arritur me kërkesë të madhe nga trajneri Alessio Tachinardi.

Ersidi qëndronte i ulur në tavolinë, por gjatë kohës së drekës ai fillon të ndiente dhembje në krahun e majtë. Një ndjenjë shumë e çuditshme, të njëjtën e kishte ndier disa ditë më herët gjatë një ndeshjeje miqësore, kur zemra e tij pas një gjuajtjeje filloi të rrihte shumë më ngadalë se që duhej.

“Ata e thirrën ambulancën dhe më kontrolluan, njësoj siç kishte ndodhur disa ditë më herët gjatë një ndeshjeje miqësore”, ka thënë Pllumbaj për “GianlucaDiMarzio.com”. “Nuk gjetën asgjë, më lëshuan”. Një tregim me përfundim të lumtur dhe i karakterizuar me shumë frikë do të thoshit?

“Jo, sepse nga ai moment më filluan dhimbjet e mëdha. Ata më dhanë qetësues për të fjetur, por e keqja te unë ishte e vërtetë”.

Një vit me vizita te specialistët në disa prej spitaleve më të mira në Italinë Veriore, por përgjigjet ishin të njëjta. “Gjithçka është në rregull”, i është thënë Ersidit.

Ersidi, megjithatë, nuk ishte mirë.

“Lufta ime është e vështirë për ta përshkruar, sepse duhej që t’i bëja të gjithë të më kuptonin, edhe më të afërmit, se ajo që unë e përjetoja nuk ishte sëmundje ‘imagjinare’ siç donin mjekët që unë të besoja. Ata më thanë të shkoja te një psikolog, më dhanë hapa për të më qetësuar e për të fjetur”, thotë Ersidi.

“Por nuk ishte çmenduri, dhimbjet e mia ishin të vërteta, jo problem mental”.

Ersidi ka vuajtur shumë. Futbolli iu bë vetëm kujtim, ndërsa ishte afër me partneren e tij, Eloran. Një luftë e jetuar nga të dy, krah për krah, kundër një të keqeje, që në realitet nuk ishte imagjinare.

Në shtator të vitit 2020, Ersid Pllumbaj ishte i lodhur, ndoshta i dorëzuar.

“Isha në Milano për drekë me shoqëri. Njëri nga ta, duke e ditur tregimin tim, më tha se babai i tij është mjek dhe se do të ma caktonte një takim me të. E pranova, edhe pse isha afër të dorëzohesha”.

Por jo, problemi më në fund u zgjidh dhe diagnoza e saktë ishte: Sindromi Dunbar. Me sindromin Dunbar, harku i diafragmës (pjesa që e ndan barkun dhe gjoksin) e zë një arterie që quhet trung celiak.

“Pa shkuar shumë në detaje, u tha se arteria ishte e bllokuar 50% dhe kjo krijoi dhimbje, lodhje dhe shumëçka tjetër. Të gjitha problemet që nuk më kanë lëshuar gjatë këtyre muajve”, thotë Pllumbaj.

Për Ersid Pllumbajn, drita në fund të tunelit është shumë afër. “Më 19 prill duhet që të zgjidh gjithçka me operim dhe më pas nëse trupi im do të reagojë mirë do të jem në gjendje të luaj përsëri”, thotë ai.

Para sëmundjes, Ersidi e kishte ndjekur ëndrrën që të bëhej futbollist. “Deri në vitin 2015 luajta në Promozione (rangu i gjashtë i futbollit italian). Më pas e pata mundësinë që të shkoja te Ascona”.

Si trajner e gjeti Maurizio Ganzin, që sot e drejton ekipin e femrave të Milanit.

“Ai më besoi, më mbushi me këshilla. Ka qenë ajo figurë që deri në atë kohë më kishte munguar në karrierën time”, lavdëron trajnerin Ganz, Pllumbaj.

Pas Asconas, Ersidi e la Zvicrën për t’iu bashkuar skuadrës Bustese, që bënte gara në Serie D të Italisë.

“Kam shënuar 18 gola në 17 ndeshjet e fundit. Vitin që shkova në Virtus Bergamo, po ashtu në D, shënova edhe 18 gola të tjerë. Më donin ekipe si Monza, Giana Ermino, por në fund e zgjodha Pro Patria në Serie C”, shton Pllumbaj.

Aventura nuk i shkoi mirë, por Pllumbaj nuk është lojtar që dorëzohet lehtë.

“Jam kthyer në Serie D te Arzignano, ku kam shënuar 6 gola në 17 ndeshje”.

Më pas, sëmundja bëri që e ardhmja e tij të jetë e turbullt.

“Duhet falënderuar futbollin dhe fuqinë mentale që e ndërtova gjatë dhimbjeve. Sepse një gjë që e kam mësuar, është që të mos ndalesh së besuari. Asnjëherë. Madje as për një sekondë”, përfundoi Pllumbaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme