Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Vetë Vuçiq, përmes një postimi në Twitter, ka bërë publik lajmin për bisedën me homologun e tij francez.
Duke publikuar një fotografi me Macron, Presidenti i Serbisë zbuloi se për çfarë bisedoi me presidentin francez.
“Kisha një bisedë shumë të mirë telefonike me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Tema kryesore ishin marrëdhëniet tona bilaterale dhe dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar Vuçiq
Kjo bisedë telefonike e presidentit serb më homologun e tij francez vjen tri ditë para udhëtimit të Vuçiqit në Moskë, ku do të takohet me presidenti rus Vladimir Putin dhe një javë para samitit Kosovë-Serbi, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku me ndërmjetësimin e SHBA do të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi.
Në takimin e 27 qershorit në Uashington do të marrin pjesë presidenti i Kosovës, Hahim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti, ndërsa nga pala serbe, presidenti Vuçiq dhe kryeministrja Ana Brnabiq.