Aleksandar Vuçiqit nuk i ka ardhur hiq mirë që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është drejtuar opinionit serb, përmes një interviste në mediat serbe, transmeton klankosova.tv.
“Nuk ka qenë momenti që Haradinaj të flasë në mediat serbe”, ka thënë presidenti nga Beogradi, duke shtuar se ai “nuk i rregullon (kontrollon) mediat nëpër Serbi”.
Megjithatë, Vuçiq ka thënë se ai është i ndaluar në Kosovë.
“Unë jam i ndaluar atje, pasi frikësohet se çfarë do të mund të flisja unë”, është shprehur ai, transmeton B92, përcjellë klankosova.tv.
Vuçiq ka shtuar se “kur flasin Haradinaj dhe Thaçi, njerëzit në Serbi mendojnë se kanë folur Haradinaj dhe Thaçi, por në fakt atyre u ka thënë dikush të flasin diçka”.
Kryeministri i Kosovës ka dhënë një intervistë të gjatë për TV Happy nga Beogradi, ku ka folur gjerë e gjatë për raportet mes dy popujve dhe dy shteteve. Mes tjerash, Haradinaj ka thënë se takon shumë serbe dhe familjet e tyre, e po ashtu, viziton edhe objektet e tyre fetare.
“Kam qenë në familje serbe, i kam vizituar edhe manastiret serbe, por nuk do të them në cilat. Le të thonë ata vetë”, ka thënë ai për TV Happy.