Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do ta mbajë një adresim publik lidhur me bisedimet për formimin e Qeverisë së re, vazhdimin e dialogut me Kosovën dhe planet për luftën ndaj Covid-19.
Shërbimi për bashkëpunim me mediet i Presidentit të Serbisë njoftoi se Ministri i Financave Sinisha Mali dhe ministri i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar do të marrin pjesë në konferencën për shtyp, raporton Tanjug.
Kjo paraqitje e kreut të shtetit serb vjen disa ditë para se ai të takohet në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti në Bruksel.
Takimi mbahet më 12 korrik me ndërmjetësimin e Shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Konfirmoj se këtë të diel, më 12 korrik, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të vijnë në Bruksel për një takim të nivelit të lartë të ndërmjetësuar nga BE”, ka njoftuar të hënën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Ky do të jetë takimi i parë nga nëntori i 2018. Do të drejtohet nga Shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell i ndihmuar nga i ngarkuari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak”.
“Ky takim kthen diskutimet dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve”.