Vuçiq i quan të marra deklaratat e Hotit për Asociacionin

Prishtinë | 12 Sht 2020 | 13:16 | Nga Ekonomia Online

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka quajtur “të marra” deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, se Kosova do të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, atëherë kur Serbia ta njohë Kosovën, duke thënë se “Hoti, dhe ndoshta dikush tjetër, mendon se të gjithë në Beograd janë idiotë dhe mund të kalojë një ide e tipit: ndodhi çfarë ndodhi dhe të shkojmë në ndonjë marrëveshje të re”.

Presidenti serb, siç raporton “B92” ka potencuar se “pala kosovare mendon se ekziston një ‘fuqi e padukshme’ që do të ushtrojë presion mbi Beogradin dhe se do të ndodhë kush e di se çfarë dhe do të vijë te njohja [e Kosovës]”.

“Le ta harrojë këtë”, tha presidenti serb, duke shtuar se “Hoti mund të vazhdojë të flasë ashtu, nëse është më lehtë për të dhe nëse mendon se po inkurajon veten dhe publikun e vet, por kjo është e dëmshme dhe e keqe”.

“Ashtë turp që askush nuk reagon ndaj kësaj dhe nuk thotë se kjo është marrëzi”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me deklaratën e Hotit përpara Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, përcjell Telegrafi.

Ai përkujtoi se Prishtina, sipas Marrëveshjes së Brukselit, kishte një obligim që të formonte Asociacionin e Komunave Serbe

“Dhe tani ata thonë – ndodhi çfarë ndodhi, shkojmë në një marrëveshje të re, por që ne t’i njohim, kurse ata ta formojnë Asociacionin…  Vërtetë mendoni se të gjithë në Serbi janë një idiotë? Apo e mendon dikush tjetër këtë?”, tha Vuçiq.

Ai e porositi Hotin se kjo është marrëzi.

“Ia thashë këtë në fytyrë disa herë”, shtoi ai. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme