Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Beograd më 21 gusht se ka marrë mbështetjen e përfaqësuesve të serbëve nga Kosova për një zgjidhje kompromisi për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe. Ai tha po ashtu se Serbia nuk do të lejojë, siç u shpreh ai, kolona të refugjatëve dhe se në rundin e fundit të dialogut, Kosova ka folur për një marrëveshje përfundimtare prej gjashtë pikash.
Pas takimit me përfaqësuesit serbë nga Kosova, Vuçiq në një adresim drejtuar kombit, tha se nuk e di se cila mund të jetë zgjidhja e kompromisit për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që rritën tensionet në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht.
“Sapo ta kuptoj, do t’iu njoftoj. Ne do të përpiqemi, do të bëjmë më të mirën. Nëse mundemi, mundemi, nuk mundemi, nuk mundemi”.
Vuçiq tha se Serbia dëshiron ta ruajë paqen dhe shtoi se “do të gjejmë më shumë propozime kompromisi”.
Sipas tij, ajo që kërkuan përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, gjatë takimit të së dielës, ishte që të mos përballeshin me përndjekje dhe Vuçiq tha se u ka garantuar se nuk do të lejojë një gjë të tillë.
“Nuk do të lejojmë pogromin dhe dëbim”, tha Vuçiq.
Presidenti serb tha se Serbia gjendet në një situatë shumë të vështirë dhe se “do të kërkojmë me dëshpërim një kompromis për 10 ditët e ardhshme. Shpresoj se do t’ia dalim”.
Ai iu referua datës 1 shtator kur Kosova ka thënë se do të rinisë zbatimin e dy vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, që rritën tensionet në veri të Kosovës në fund të korrikut dhe fillim të gushtit.
“A besojmë në këtë, kam frikë se edhe nëse do të jetë e suksesshme, na pret kurba tjetër, shumë shpejt, dhe pastaj ajo e radhës, dhe kam frikë se rubikoni është kapërcyer prej kohësh”, shtoi Vuçiq.
Vuçiq tha se ishte informuar se nëse nuk arrihet zgjidhje, serbët do të largohen nga institucionet dhe se do të ketë “zhbërje të rendit të Brukselit të dakorduar me marrëveshje”.
Presidenti serb tha se ditëve të fundit në mesin e popullatës serbe në Kosovë ka mbretëruar frika dhe tha se ata “janë të mbështetur për muri”. Ai tha se në rundin e fundit të dialogut në Bruksel, Prishtina ka refuzuar çdo propozim për targat dhe dokumentet serbe.