Presidenti i Serbisë, Alaksandar Vuçiq, në mitingun e djeshëm elektoral për zgjedhësit e vet e të koalicionit të tij, ka folur gjatë edhe për Kosovën, transmeton Koha.net.
Ai ka treguar se “në takimin e Beogradit kishin shkuar 7.500 veta dhe se dhjetëra autobusëve nuk u ishte lejuar ta kalonin kufirin”.
Ka shtuar se kur i ka parë gjithë këta njerëz, jo vetëm që është gëzuar, jo vetëm se i ka ardhur shumë mirë, por ka thënë se ata janë barra më e rëndë rreth qafës së tij që dikush ka mundur t’ia vërë.
“E di përgjegjësinë dhe brengën për njerëzit në Kosovë. Nuk do ta kemi lehtë dhe për këtë arsye i falënderoj që kanë ardhur kaq shumë. Pa kaq shumë veta nuk do të mund të dalë para presidentit të Kinës, Putinit, Merkelit, Macronit gjatë ditëve që vijnë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, Serbia i ka ofruar kompromis Kosovës, por ajo nuk po do, është ankuar Vuçiq.
Siç përcjell gazeta e Beogradit “danas”, ai ka thënë se “nga e gjithë bota po i shkojnë emisarë e po i thonë “bëjë diçka të mirë për shqiptarët e Kosovës, zbuti që ta heqin taksën për mallin serb, por përgjigja ime është se nuk do të veprojmë asgjë, sepse Kosova duhet ta heqë taksën, e pastaj të bisedohet”.
“Përgjigja ime, përgjigja jonë, përgjigja e Serbisë unike, pa marrë para sysh se kjo do të jetë e vështirë për t’u bërë, është – nuk do të bëjmë asgjë. Kemi bërë shumë gjëra, është radha që ju të silleni në mënyrë të civilizuar, në mënyrë normale që ne t’iu bëjmë lëshime e ju të thoni se Serbia është poshtëruar dhe është mundur… përgjigja jonë është e qartë”, ka thënë Vuçiq.