Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot në Berlin se Kosova nuk mund të jetë shtet i konsoliduar pa Serbinë.
Tutje, ai tha se pozicioni i Kosovës është i varur tërësisht nga Beogradi, ndërsa “pozicioni i Beogradit nuk varet në tërësi nga Prishtina”, raporton “FoNet”.
Vuçiqi deklaroi se Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe anëtar i OKB-së, dhe si i tillë nuk i nevojitet njohja e Kosovës.
Duke folur për Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur të hënën në Berlin, Vuçiqi vlerësoi se Serbia ka mbrojtur interesat e veta.
“Është me rëndësi që të sillemi me vendosmëri dhe përgjegjësi. Kemi fituar më shumë reputacion”, tha Vuçiqi, dhe shtoi: “Është me rëndësi të mendojmë se si të gjejmë një zgjidhje kompromisi, të cilën s’mund ta arrijmë pa dialog”.
“Për këtë duhet hequr taksa e Kosovës prej 100 për qind për mallrat nga Serbia”, tha Vuçiqi me bindjen se taksa është vënë “në mënyrë që të mund të përleshen mes vete në Prishtinë”, por se nuk beson që ky të ketë qenë “vendim i pavarur”.
Vuçiqi tha se me këtë krijohet përshtypja se ka një përplasje mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, por edhe se “aty ka një lojë të dyfishtë, në mënyrë që të mund të fitojnë më shumë koncesione”.
“U mahnita nga ajo që Evropa i ofroi Thaçit e Haradinajt”, deklaroi Vuçiqi.