Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka reaguar për vendosjen e sanksioneve për grupin kriminal të drejtuar nga Zvonko Veselinoviq me bazë në veri të Kosovës.
Vuçiq në deklaratën e tij duket se vë në dyshim akuzat pasi e nis reagimin e tij se akuzat në fillim kanë qenë për tregti ilegale dhe në fund të mos respektim të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai vijon se organet do hetojnë nëse ekzistojnë akuza serioze por thekson se nuk ka marrë asnjë dinar nga Zvonko.
“Ata i akuzuan fillimisht për tregti ilegale. Në fund do t’i akuzojnë që nuk po e respektojnë kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë, por kjo nuk është asgjë e re. Nëse ekzistojnë akuza serioze, organet tona shtetërore do t’i hetojnë. Gjithçka që pranojmë me çfarëdo treguesi se dikush ka kryer ndonjë vepër penale, organet tona përgjegjëse do të jenë të gatshme që në po atë moment të verifikojnë gjithçka.
Asnjë dinar nuk na ka dhënë Zvonko, sa më përket mua për të tjerët nuk e di. Partia të cilën e udhëheq ka më shumë se mjaftueshëm para falë mjeteve shtetërore dhe anëtarësisë. Këto janë burimet tona kryesore. Kurrfarë nevoje nuk kemi për çfarëdo paraje tjetër” – shkruan Vuçiq.
Në një raport të përgatitur nga ish-bashkëpunëtori i Vuçiq thuhet se Presidenti Serb në vitin 2015 kur ishte Kryeministër u pyet nga FBI-ja në SHBA në lidhje me kontrabandën e armëve serbe në Libi. Përveç kësaj, hetuesit e FBI-së ishin të interesuar për aktivitetet kriminale të vëllait të tij Andrej, si dhe njerëzve më të besuar të klanit të tij në Beograd, të cilët janë Nikola Petroviq, Slavisa Kokeza, Goran Veselinoviq, Zvonko Veselinoviq dhe Nenad Kovaq.