Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se në vrasjen e Oliver Ivanoviqit nuk është i përfshirë shteti serb, por ka thënë se nuk mund ta mohojë se “ndonjë serb mori pjesë në vrasje”.
“Shqiptarët dhe shumë serbë gjatë gjithë kohës po përpiqen të akuzojnë shtetin serb për vrasjen e Ivanoviqit. Kush mendon kështu nuk është normal ose është i sëmurë me urrejtje”, tha Vuçiq, raporton FoNet.
Sipas Vuçiqit, edhe ata në Serbi që po pretendojnë një gjë të tillë po e bëjnë këtë vetëm për të fituar autoritet.
“Ata akuzojnë vendin e tyre pa ndonjë dëshmi”, tha ai, derisa shtoi se kësisoj po e çojnë Serbinë në një pozitë të pafavorshme në negociatat në Bruksel.
“Ku ndodh kjo nevojë patologjike për të aplikuar të keqen ndaj vendit të vet. Ata duan ta përdorin këtë për të më rrëzuar nga pushteti, sepse ata nuk kanë asgjë tjetër”, tha Vuçiq.
Vuçiqi tha se “shërbimet e sigurimit të Serbisë do të dalin së shpejti për të njoftuar për njohuritë e tyre rreth vrasjes së Ivanoviqit, prandaj prisni deri atëherë e pastaj komentoni mbi gjithçka që ndodhi”.