Vuçiq sërish përmend Kosovën, pretendon se me sulmet e NATO-s perëndimi e ‘copëtoi Serbisë’

Prishtinë | 25 Mar 2024 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

“Ata u përpoqën të copëtojnë vendin tonë dhe kanë kaluar 25 vjet dhe ne ende nuk dorëzohemi, nuk pajtohemi me copëtimin e Serbisë”. Kështu e nisi fjalimin e tij propagandues presidenti serb Aleksandar Vuçiq të dielën në mbrëmje në përkujtimin shtetëror me rastin e 25 vjetorin e fillimit të bombardimeve të drejtuara nga NATO.

Në praninë e Milorad Dodikut që u sanksionua nga Amerika dhe Kishës Ortodokse Serbe që dyshohet se armatos vazhdimisht serbët e veriut, Vuçiq shkoj edhe më tej.

Ai para serbëve tha se bombardimet detyruan Sllobodan Millosheviqin, ishin punë e pistë e perëndimit për ta copëtuar këtë vend (Serbinë).

“Nuk e keni bërë punën tuaj të pistë për ta copëtuar këtë vend, sepse ky komb është më i fortë dhe Serbia është më e fortë. Serbia do të rezistojë, ju nuk mund ta hiqni lirinë, ne nuk do ta japim dhe nuk do ta pranojmë kurrë me dëshirë që na e merrni Kosovën. Kush dhe çfarë jemi pa Serbinë? Askush dhe asgjë”, tha Vuçiq mbrëmë në Prokuplje në jug të Serbisë, ku u mbajt manifestimi qendror përkujtimor.

Këtë vit, shtoi ai, “disa u përpoqën të na shpjegojnë se bombardimet ishin të nevojshme për hir tonë, në mënyrë që Serbia të ecë përpara në të ardhmen”.

“Dhe në fjalinë e radhës thonë se besojnë se Serbia dhe Kosova do ta shikojnë të ardhmen së bashku”, tha Vuçiq duke vlerësuar se Serbisë i pret një e ardhme e mirë.

“Para nesh është një e ardhme e mirë dhe e madhe për Serbinë, e cila do të dijë të mbrohet”, tha presidenti serb.

Në përkujtimoren në Prokuplje morën pjesë udhëheqja shtetërore e Serbisë dhe presidenti i entitetit boshnjak të Republika Srpska, Milorad Dodik dhe kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porifrije, i cili shërbeu në shërbimin përkujtimor për viktimat gjatë tre bombardimet mujore në 1999.

Aleanca ushtarake perëndimore filloi sulmet në territorin e RFJ-së më 24 mars 1999 në orën 19:45 pas refuzimit të Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë për Kosovën.

Vendimi për bombardimin u mor si precedent në historinë e OKB-së, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit, sepse anëtarët e NATO-s, për shkak të vetos së shpallur nga Rusia dhe Kina, nuk arritën të merrnin pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Të shtunën, ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore publikuan një deklaratë në të cilën sqaruan arsyet e nisjes së sulmeve ajrore të NATO-s, duke theksuar se “operacioni i Forcave Aleate ishte krijuar për të detyruar Sllobodan Millosheviqin, presidentin e atëhershëm të RFJ-së, të ndalonte abuzimin ndaj popullatës civile në Kosovë, për të parandaluar fatkeqësinë humanitare dhe për t’u mundësuar refugjatëve dhe personave të zhvendosur kthimin, dhe organizatave humanitare qasje në Kosovë”.

Sulmet ajrore zgjatën deri më 10 qershor 1999, kur në Kumanovë u arrit një marrëveshje që mandatonte tërheqjen e forcave ushtarake dhe policore nga Kosova dhe themelimin e Misionit të Përkohshëm Administrativ të OKB-së (UNMIK).

Të ngjashme