Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, do të pritet me protesta të premten në Tiranë, i cili do të vijë për Samitin e mini-Schengenit ballkanik. Përballë hotelit “Rogner”, ku do të qëndrojë Vuçiqi, Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Shqipëri ka thirrur një aksion paqësor protestues për të thënë si qytetarë që Vuçiqi është “non grata” në Shqipëri.
Një ditë para mbërritjes së Vuçiqit në Tiranë, aktivistët e Vetëvendosjes në Shqipëri kanë vendosur një pankartë në hyrjen e hotelit “Rogner”, ku shkruhet: “Këtu një kriminel lufte, po vjen të pozojë si bamirës”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kryetari i Vetëvendosjes në Tiranë, Enis Sulstarova, tha se Vuçiqi është i padëshiruar në Tiranë dhe akuzoi kryeministrin Rama se po i shërben pastrimit të figurës së tij përballë ndërkombëtarëve.
“Në Shqipëri po bëhen disa aktivitete në formë bamirësie dhe kjo bamirësi është një shpëlarje që i bëhet figurës së tij si kriminel lufte, sepse Vuçiqi ka qenë ministër në qeverinë e Millosheviqit më 1999, kur janë bërë krime të llahtarshme ndaj shqiptarëve”, ka thënë Sulstarova. Serbia, sipas tij, asnjëherë nuk ka kërkuar falje për 20 mijë gra të përdhunuara, për mbi 10 mijë civilë të vrarë, nga këta 1000 fëmijë, dhe nuk i ka kthyer 20 miliardë euro dëme që ia ka shkaktuar Kosovës.
“Këto borxhe në vend që Serbia t’ia kthejë Kosovës, nesër dhe pasnesër Vuçiqi do të udhëtojë nëpër Shqipëri duke u hequr si bamirës, duke u gjendur në këtë periudhë fatkeqësie për kombin shqiptar, duke shfrytëzuar këtë situatë të jashtëzakonshme ai, duke marrë rolin e një bamirësi dhe këtë gjë ia lejon kryeministri ynë Edi Rama. Për këtë arsye ne nesër në 17:30, në lulishten ‘Qemal Stafa’ përballë këtij hoteli do të thërrasim një aksion paqësor protestues për të thënë si qytetarë që Vuçiqi është ‘non grata’ në Shqipëri. Mini-Schengeni është një nismë e dështuar që në nisje. Është një mini-Minischengen, sepse nga 6 vende vetëm 3 marrin pjesë. Kjo bëhet thjesht për t’i lënë mundësi Serbisë për t’u shfaqur si aktor paqeje në Ballkan, kur Serbia është një aktor konfliktnxitës në Ballkan”, ka thënë kryetari i VV-së në Shqipëri, Enis Sulstarova.
Takimi i Tiranës është në vijim të dy takimeve të mëparshme të këtij niveli, të zhvilluara në Novi-Sad, Serbi dhe në Ohër, Maqedoni e Veriut, ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane.
Zyra e kryeministrit Rama ka njoftuar se të premten, më 20 dhjetor, ora 17:00, kryeministri Edi Rama do të mirëpresë liderët e ftuar në një takim jozyrtar në hotelin “Rogner”, Tiranë. Më pas, në orën 19:00, kryeministri Edi Rama së bashku me delegacionet pjesëmarrëse do të jenë të pranishëm në Parkun Olimpik, në evenimentin e veçantë të bamirësisë “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, dedikuar procesit të rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit.
Ditën e shtunë, datë 21 dhjetor, ora 08:45, të ftuarit do të vizitojnë disa nga zonat e prekura nga tërmeti, në Durrës. Më pas, në orën 10:00, në hotelin “Rogner” do të zhvillohet Sesioni i Liderëve. Në orën 12:00 do të vijohet me Seancën Plenare, me pjesëmarrjen e delegacioneve. Në orën 13:15, të ditës së shtunë, aktivitetet do të përmbyllen me konferencën e përbashkët për shtyp, e cila do të zhvillohet në të njëjtin vend, në hotelin “Rogner”, Tiranë.
Ndërkohë mediat në Tiranë të identifikuara si të afërta me Qeverinë kanë bërë të ditur se ndryshe nga dy samitet e mëparshme në Nish dhe Ohër, ai i Tiranës për Schengenin ballkanik do të jetë nën mbikëqyrjen amerikane, ku, sipas tyre, Departamenti Amerikan i Shtetit do të dërgojë dy përfaqësues të posaçëm për të ndjekur nga afër punimet e Samitit. Sipas këtyre mediave, në Samitin e së shtunës do të jetë i pranishëm edhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka refuzuar të marrë pjesë në këtë takim pasi, sipas tij, Bosnja dhe Serbia nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.