Vuçiqi reagon pasi Policia e Kosovës filloi të patrullojë nëpër Ujman, kjo paraqet shkelje të Marrëveshjes së Brukselit

Prishtinë | 08 Sht 2022 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se autoritetet në Serbi kanë informacione se “shqiptarët heshturazi dhe fshehurazi po bëjnë përpjekje ta marrin veriun e Kosovës”.

Duke folur në një ngjarje në qytetin e Pozharevcit, Vuçiq tha se ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës ka deklaruar se Policia e Kosovës kontrollon plotësisht Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës.

Vuçiq tha se një gjë e tillë paraqet shkelje të Marrëveshjes së Brukselit.

“Sepse, me Marrëveshjen e Brukselit, policia në veri duhet t’i takojë Drejtorisë së Veriut, gjegjësisht serbët duhet të jenë aty”, tha Vuçiq.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, shkruajti në një postim në Facebook të enjten se “Policia e Kosovës filloi sot me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit”.

Sveçla tha se kjo ndodh për herë të parë që nga paslufta.

Në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe, operojnë edhe organe paralele të Serbisë.

Vuçiq tha se Brukseli nuk reagon ndaj thirrjeve për të ndikuar në veprimet e Prishtinës dhe paralajmëroi zyrtarët e BE-së dhe të Kosovës se Serbia “nuk do ta lejojë më këtë”.

“I paralajmëroj të dyja palët që të mos e bëjnë më këtë, pasi populli serb nuk do të tolerojë më dhunën apo mosrespektimin e normave juridike ndërkombëtare. Ky është paralajmërimi im për ata që do të vijnë nesër në Beograd dhe për të gjithë të tjerët”, tha Vuçiq.

Siç është njoftuar më herët, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë të premten në Kosovë dhe në Serbi.

Ai do të shoqërohet nga këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.

Të ngjashme