Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk e di nëse në qershor do të vazhdojë dialogu mes Kosovës e Serbisë dhe ka theksuar se pala serbe është e gatshme për dialog dhe zgjidhje kompromisi.
“Dikur diçka duhet të nis, se a do të ndodh në qershor, në korrik a në gusht, ne këtë vërtet s’e dimë”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
Vuçiq ka thënë se ai vazhdimisht shkon në bisedime për Kosovën me marrëveshjen e Brukselit, dhe se kjo “i mundon të gjithë” dhe se askush s’dëshiron ta pranojë.
“Askush më s’po dëshiron të më shohë, sepse çdoherë bëjë pyetje në të cilat ata s’kanë përgjigje”, deklaroi Vuçiq.
Ai ka përsëritur se Beogradi i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta nga marrëveshja e Brukselit, kurse Prishtina, sipas tij, nuk e ka formuar Asociacionin e komunave serbe.
“Para së gjithash, ata duhet t’i kryejnë obligimet e veta e nëse këtë s’donë ta bëjnë, mund të bisedojmë edhe për ndonjë zgjidhje të përhershme, por ajo zgjidhje s’mund të jetë – Serbi, njihe pavarësinë e Kosovës”, u shpreh presidenti serb Vuçiq.
Ai porositi qytetarët serbë që të kenë besim në udhëheqjen shtetërore sepse, siç tha Vuçiq, dimë t’i mbrojmë interesat e vendit dhe qytetarëve tanë.
“Nuk është e lehtë të bisedohet me ne, por ne jemi të gatshëm për kompromis, shumë herë e kemi dëshmuar këtë”, shtoi ai.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçiq, deklaroi kohë më parë se dialogu mes dy vendeve do të duhej të vazhdonte në pjesën e dytë të qershorit.
Dialogu Kosovë-Serbi u ndërpre në fund të muajit mars, pas hyrjes ilegale në Kosovë të shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, dhe për pasojë arrestimin e tij.