Vulin: Ministrja e emëruar nga Haradinaj kishte organizuar protesta kundër Vuçiqit

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët në Beograd po e quajnë si të papranueshëm vendimin e Ramush Haradinajt për ta emëruar në krye të Ministrisë së Bujqësisë, Diana Ziviqin, e cila nuk vjen nga radhët e Listës Serbe.

Kundër këtij emërimi ka dalë edhe ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksander Vulin. Sipas tij, Ziviq nuk përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës.

Në një deklaratë për TV Pink, ai ka zbuluar se ministrja e re kishte organizuar një protestë në Graçanicë kundër autoriteteve të Beogradit, respektivisht presidentit, Aleksandër Vuçiq.

“Nuk mund të vendoset një serb privat në atë vend, vetëm për të dhënë një pamje të multietnicitetit”, u shpreh Vulin, duke shtuar se këta serbë nuk përfaqësojnë askënd përpos vetes.

Ziviq ka pasuar Nenad Rikallon, i cili u shkarkua me kërkesë të Partisë Socialdemokrate, si kompromis për t’ia votuar Qeverisë Haradinaj buxhetin për vitin 2019. /Express/

Të ngjashme