Vushtrria i përgjigjet aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” me reforma për menaxhimin e mbeturinave

Vushtrri | 31 Tet 2018 | 12:45 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” është organizuar aksion pastrimi në Vushtrri, ku kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se komuna e Vushtrrisë është e përkushtuar ta bëjë Kosovën sa më të pastër.

Tahiri tregoi se Vushtrria ka bërë disa reforma për menaxhim të mbeturinave. Ai tha se për herë të parë, në çdo shtëpi shkon shërbimi i mbledhjes së mbeturinave.

“Vushtrria ka bërë një sërë reformash sa i përket menaxhimit të mbeturinave. Sivjet për herë të parë në çdo shtëpi shkon shërbimi i mbledhjes së mbeturinave, në çdo shkollë kemi ndarjen e mbeturinave në burim. Sot jemi në aksion të përbashkët edhe me kompaninë “Uniteti” për t’i dhënë një shtytje më të madhe dhe mbështetje në mbrojtjen e ambientit”, tha Tahiri.

Tahiri bëri të ditur se së shpejti do të shpërndahen 4 mijë e 500 kontejnerë familjarë për ekonomitë familjare në Vushtrri, raporton Ekonomia Online.

“Shumë shpejt do të shpërndajmë 4 mijë e 500 kontejnerë familjarë për ekonomitë familjare në Komunën e Vushtrrisë, është investim i komunës dhe GIZ-it dhe po ashtu do të kemi ndërtimet e pikave të reja në qytetin e Vushtrrisë dhe jam i bindur që me këto aktivitete duke pastruar këtë deponi që është e madhe në Pestovë dhe në Dobërllukë, ne kemi bërë një sërë aktivitetesh që kanë ndikuar në përmirësimin e përgjithshëm të gjendjes së ambientit”, tha Tahiri.

Tahiri falënderoi për mbështetjen që po i bëhet komunës së Vushtrrisë.

“Objektivi jonë, sot kemi vendosë të largojmë 15 thasë mbeturina dhe diku janë afër 50 tonë mbeturina nga kjo deponi këtu, ky është objektivi i aktivitetit të sotshëm”, tha ai.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi tha se kjo fushatë po ndikon pozitivisht edhe në vetëdijesimin e qytetarëve në pastrimin dhe largimin e mbeturinave.

“E ardhmja e jonë pa mbeturina duket e qartë në momentin kur shohim pjesët e gjelbra të shkollave që sot janë pjesë e këtij aksioni. Përveç pastrimit, ndikimi i drejtpërdrejtë shkon edhe në vetëdijesimin tonë si shoqëri që të mësohemi dhe të jetojmë pa mbeturina”, tha Matoshi.

“I kemi përcjellë kohë pa kohe edhe nga informatat që kemi koordinatorët edhe nga ‘Let’s Do it Kosova’ për aktivitetet që kanë ndodhë në Komunën e Vushtrrisë në kuadër të aksionit ‘Ta pastrojmë Kosovën’ jemi shumë të lumtur që në Komunën e Vushtrrisë dhe komunat tjera qytetarët kanë nda mendjen të jetojnë pa mbeturina, sepse Kosovën e kemi më të mirë pa mbeturina”, tha ai.

“Dje kemi nënshkruar një marrëveshje me GIZ-in dhe si ministri zotohemi me investu edhe 3.5 milionë të tjera në menaxhimin e mbeturinave kryesisht për komunat e Kosovës. Do të jenë grante që do t’iu ofrohen komunave të Kosovës dhe bashkë me këto 3.5 milionë të ministrisë janë rreth 17 milionë tjera të MAPL-së, donatorëve të tjerë do konsolidojmë një grant prej 20 milionë euro në menaxhim të mbeturinave”, tha Matoshi.

Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova” tha se aksionet po përçojnë mesazh ku po tregohet se Kosova vazhdimisht po pastrohet.

“Është kënaqësi të jemi në një organizim të tillë ku jemi bërë bashkë të përçojmë mesazh që Kosova po pastrohet dhe po angazhohen akterë të ndryshëm”, tha Hasanaj.

“Është ndjenjë e mirë kur shohim nivelin qendror dhe lokal, kompanitë private kur këta shohim përfundimisht po bëjmë me kuptu që ne po mbahemi prej bërlloku pra ajo që ka qenë mision qëllim i fushatës po ndodh në mënyrën më të mirë dhe ne zotohemi që do vazhdojmë me këtë dinamikë, angazhim e aktivitet derisa ta kemi Kosovën e pastër”, tha ai.

Të ngjashme