Lëvizja Vetëvendosje sot mbajti një aksion simbolik pranë burgut të Prizrenit, aty ku padrejtësisht po mbahet tash e 67 ditë Astrit Dehari.
Duke shpalosur parullën “Lironi të burgosurit politik” dhe me brohoritje të ndryshme, aktivistët kërkuan lirimin e Astritit nga burgu, sikurse edhe të Atdheut e Egzonit që vuajnë padrejtësisht burgun në Lipjan e Pejë. Liri u kërkua edhe të Adeas, Frashërit e Petritit, që po ashtu padrejtësisht mbahen në arrest shtëpiak.
Në fjalën e tij, anëtari i Kryesisë, Xhelal Sveçla, tha se pushteti kriminal i klanit “Pronto” me montime e pa asnjë provë të vetme po i privon nga liria gjashtë aktivistë të VV-së vetëm pse janë aktivistë të saj, e rrjedhimisht kundërshtarë të këtij regjimi që dita ditës po bëhet regjim autoritar.
“Këtu, para meje ndodhet Astrit Dehari, një aktivist shembullor nga një familje veprimtarësh , një student i shkëlqyer në Fakultetin Mjekësisë, një shok e familjar i dashur, një shembull për çdo të ri në Kosovë. Pikërisht për këtë, Astriti mbahet në burg sepse djemtë si Astriti nuk i duron një pushtet kriminelësh e një pushtet injorantësh”, theksoi Sveçla.
Më tej, ai shtoi se aktet e tilla të këtij pushteti nuk e zbehin rezistencën tonë kundër aktivitetit kriminal të këtij klani kriminal, duke thënë se Astrit Dehari nuk mund të qëndrojë aty ku e ka vendin klani “Pronto”, aty ku duhet të jenë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa e të tjerë. Si dhe, Sveçla potencoi se mbajtja në burg gjashtë aktivistëve është shkelje me dy këmbë mbi drejtësinë.
Kurse, kryetari i Qendrës së Prizrenit, Artan Abrashi, duke bërë thirrje për lirimin e aktivistit Astrit Dehari, deklaroi se Astriti nuk është vetëm, por se jemi bashkë e do të vazhdojmë të jemi bashkë në përpjekjen për të çliruar shtetin nga kapësit dhe për të ndërtuar një shtet të së drejtës, ku drejtësia nuk është selektive e ku askush nuk është mbi ligjin.
VV thotë se mbetet e përkushtuar për të vendosur drejtësinë në këtë vend. “Pa lirinë e Astritit dhe të tjerëve nuk ka drejtësi, dhe përderisa nuk ka drejtësi, s’mund të ketë as qetësi. Drejtësinë do ta sjellim duke i vënë para përgjegjësisë ata që i kanë kapur institucionet e drejtësisë dhe që qëndrojnë non-stop mbi ligjin. Këta njerëz e kanë vendin në burg, kurse Astriti me shokë në liri. Nuk do t’i ndalim kërkesat tona të drejta pa vendosjen e drejtësisë së mirëfilltë”.