Vetëvendosje ka demantuar deklarimet e Igumenit Sava Janjiq dhënë për Radio Europa e Lirë se Kisha ortodokse e ndërtuar në Kampusin Universitar ka leje dhe madje ajo është lëshuar nga babai i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi, njofton Klan Kosova.
Lajmin se ishte babai i Vraniqit që kishte dhënë leje e aktualizuan disa media në Kosovë edhe tash kur është problematizuar çështja e Kishës.
Por, Vetëvendosje ka publikuar edhe dy dokumente për të dëshmuar se ata kanë të drejtë dhe jo Janjiq.
“Hapësira brenda kampusit universitar, për të cilën pretendohet se i përket Kishës Ortodokse Serbe për ndërtimin e objektit kishtar, i është uzurpuar Universitetit të Prishtinës nën masa të dhunshme, me vendim të Kuvendit të Republikës së Serbisë në vitin 1990”, thuhet në ragimin e Vetëvendosjes.
“Më saktësisht, më 26 nëntor të vitit 1990, në bazë të ‘nenit 16 të Ligjit mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të jashtëzakonshme’, Kuvendi i Republikës së Serbisë ka marrë të ashtuquajturin ‘Vendim për plotësimin e vendimit për miratimin e planit të hollësishëm urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë’, me çka ka paraparë ndërtimin e Objektit të Tempullit të Kishës Ortodokse Serbe dhe Institutit për historinë kishtare serbe dhe kulturën profane me përmbajtjet përcjellëse”, në hapësirën universitare.
“Ky vendim ka hyrë në fuqi 8 ditë pas publikimit në gazetën zyrtare të Republikës së Serbisë dhe është publikuar poashtu në numrin 4 të Gazetës Zyrtare të Kosovës, të datës 30 prill 1992”.
“Pretendimet e klerikëve serbë dhe telallit të tyre, Gazetës Express, se leja për këtë objekt është dhënë nga organe legjitime të Komunës së Prishtinës, apo më saktësisht nga babai i aktivistit tonë Erzen Vraniqi, përveç që kanë për qëllim sulmin kundër Lëvizjes Vetëvendosje me anë të shpifjeve tendencioze ndaj aktivistëve të saj dhe familjarëve të tyre, kanë qëllim edhe që këtë objekt, simbol të okupimit të regjimit të Millosheviqit, ta legjitimojnë”, thuhet në këtë reagim të LVV-së.