Bujqësia është faktori më i rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe jo vetëm në Kosovë por në të gjitha vendet. Ndërsa prodhimeve vendëse duhet t’u garantohet qasja në treg. Kështu u tha në tryezën me temë “Situata aktuale e bujqësisë në Kosovë-sfidat dhe mundësitë”, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Visar Ymeri kryetar i Vetëvendosjes tha se sektori i bujqësisë në Kosovë është shumë i rëndësishëm, i cili i cili do ta realizonte domosdonë e importit që e kemi, raporton Ekonomia Online.
“Bujqësia është e rëndësishme në dy aspekte, ndërsa dy faktorët që e dëmtojnë bujqësinë janë: qasja në treg dhe qasja në kapital. Faktori vendimtar për mos zhvillim të bujqësisë deri më tani ka qenë politika agrare”, ka thënë ai.
“Ne mendojmë që prodhimeve vendëse duhet t’u garantohet qasja në treg dhe ky është rol dhe përgjegjësi e institucioneve shtetërore. Kosovën e ka dëmtuar marrëveshja e CEFTA-s dhe mënyra se si ajo është zbatuar. Kur është nënshkruar kjo marrëveshje shumica e ekspertëve të ekonomisë e kanë kritikuar këtë. Integrimi në ekonomi globale duhet të jetë gradual. Me rezultatet që i ka sjellë CEFTA kemi përfunduar në atë që t’u blejmë të tjerëve, e jo t’u shesim”, ka pohuar Ymeri.
Kurse Driton Çaushi deputet i VV-së tha se qasja e prodhimeve vendëse në tregjet ndërkombëtare është problem i patejkalueshëm.
Çaushi ka thënë se politikat mbështetëse për subvencione kanë pasur probleme se si janë shpërnda subvencionet dhe grantet.
“Në tri vitet e fundit kemi pasur mbi 220 milionë euro grante të investuara, por nuk shohim ndonjë ndryshim. Por problem mbetet ajo që mënyra e aplikimeve në grante ka dështuar. I bie rreth gjysma e aplikimeve janë të dështuara dhe barrën duhet ta bartë vet Ministria e Bujqësisë”, ka thënë ai.
Kurse profesori njëherësh deputet i Vetëvendosjes Salih Salihu si çështje me rëndësi ngriti mbrotjen e tokave bujqësore. Ai tha se janë dikund rreth 600-700 hektarë tokë pjellore që humbet në vit nga ndërtimet e egra.
“Po ashtu një pikë e rëndësishme është mbrojtja e tokave bujqësore nga ndërtimet e egra. Kemi 600-700 hektarë tokë pjellore në vit që humbet nga ndërtimet e egra dhe nuk zbatohet ligji mbi mbrojtjen e tokave dhe sipas informacioneve që i kemi nuk ekziston ansjë inspektor për mbrotjjen e tokave bujqësore”, ka thënë ai.