Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Frashër Krasniqi do të mbahen edhe dy muaj të tjerë në arrest shtëpiak, sipas aktvendimit të ri, i cili thuajse është përseritje e fjalëpërfjalshme e aktvendimit paraprak. Ky vendim i padrejtë i Gjykatës Themelore të Prishtinës që privon nga liria katër aktivistët tanë, po ia mundëson zgjatjen e jetës një procesi, i cili ende po mbijeton pa asnjë provë të vlefshme.
Ky proces kryekëput politik është dëshmi e qartë e instrumentalizimit të drejtësisë për interesa të klanit kriminal “Pronto”, i cili e ka zhytur vendin në varfëri e mjerim dhe krim e korrupsion.
Kjo drejtësi e kapur e cila punën e saj e kryen sipas porosive të pushtetit, në vazhdimësi është përqëndruar në luftimin e opozitës, dhe ka mbyllur sytë para krimit të organizuar dhe kriminelëve që qëndrojnë mbi ligjin.
Vendimi ndaj aktivistëve është arbitrar dhe është shkelje e të drejtave themelore të katër aktivistëve tanë, dhe si i tillë është i papranueshëm, siç është i gjithë procesi. Si pasojë e këtij procesi të montuar, i përcjellë që nga fillimi me shkelje flagrante të të drejtave elementare të njeriut, aktivisti Astrit Dehari sot nuk është në mesin tonë.
Për këtë, sikurse për gjithë këtë rast dhe përndjekjen e vazhdueshme të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, do të mbahet përgjegjëse ministrja Dhurata Hoxha dhe gjithë krerët e shtetit të kapur. Këta njerëz që në vend të angazhimit për shtet të së drejtës, me çdo kusht e duan ndërtimin e një aparati autoritar shtetëror, nuk do të mund ta ndalin drejtësinë.
Shteti i së drejtës do të shënojë fundin e proceseve të tilla të padrejta dhe fundin e gjithë atyre që janë kundër drejtësisë.