Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar të martën rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, me përjashtim të komunës së Prizrenit, Kllokotit dhe Dragashit. 15 ditë pas certifikimit të rezultateve, kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur mund të marrin mandatin, e kjo bëhet me thirrjen e mbledhjes inauguruese.
Kështu shkruan neni 42 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale ku thuhet “Kuvendi i komunës e mbanë mbledhjen inauguruese brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Mbledhja inauguruese e kuvendit të komunës thirret nga kryetari (aty ku është zgjedhur) brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”.
Në bazë të rezultateve partitë fituese nëpër komuna duhet lidhur koalicione në mënyrë që të kenë shumicën në kuvende komunale.
Shpejtim Bulliqi nga LVV, i cili tashmë është rizgjedhur kryetar i Komunë së Podujevës, ka thënë për Telegrafin se ende nuk kanë vendosur se me kë do të lidhin koalicion.
“Ende nuk kemi vendosur se me kë do të bëjmë koalicion, do të kemi bisedime me partitë tjera gjatë ditëve në vazhdim”, ka thënë ai.
Në Podujevë, LVV është radhitur e dyta sa i përket numrit të asamblistëve me 13 asamblistë, kurse LDK 14. Ndërsa, PDK ka fituar 4 ulëse në Kuvendin Komunal të Podujevës, AAK 3 ulëse dhe Organizata Balli Kombëtar 1 ulëse.
Për koalicion, LVV nuk ka vendosur as në Komunën e Gjilanit. Kryetari i ri i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se sot do të kenë një takim të Kryesisë së LVV-së, për të diskutuar për koalicion.
“Sot do të kemi një takim të kryesisë dhe do të diskutojmë për koalicionet, pastaj shohim javën tjetër”, pohoi ai për Telegrafin.
Në Gjilan, LVV pavarësisht se ka fituar me kandidatin Alban Hyseni, sa i përket numrit të asamblistëve është radhitur e dyta. LVV në Gjilan ka 10 asamblistë, LDK 14 asamblistë, PDK 5 asamblistë, AAK 2 asamblistë, AKR 1 asamblist, Lista Serbe 1 asamblist, Lëvizja Qytetare Vatra 1 asamblist.
Ndryshe, neni 57 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, tregon se nëse kryetari i zgjedhur dështon ta jap betimin e tij brenda një muaji nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve atëherë i njëjti e humb mandatin.
Zgjedhjet lokale janë mbajtur më 17 tetor, ku 17 kandidatë morën votat e mjaftueshme për kryetar, kurse në raundin e dytë gara për kryetar u zhvillua në 21 komuna. Raundi i dytë i zgjedhjeve është mbajtur më 14 nëntor.