“VV insistonte ta bënte Mujecin aksionar të Stacionit të Autobusëve” – për cilin ‘sekser’ fliste Abdixhiku në qershor?

Prishtinë | 15 Gus 2023 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Dy muaj më parë, kur opozita e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, mori shumicën në Kuvendin e Prishtinës, Abdixhiku fliste për “pazare” të paparë më herët për t’i kapur ndërmarrjet publike. Sot pas arrestimit të asamblistit të LV-së, Besnik Mujecit, në Tiranë, Abdixhiku thotë se LV-ja po në qershor insistonte ta bënte atë aksionar në Stacionin e Autobusëve. Rreth 11 mijë doza të drogës për të cilat u arrestua Mujeci dyshohen të jenë bartur me linjat e autobusëve Prishtinë – Tiranë.

Më 8 qershor në një mbledhje të jashtëzakonshme, opozita e përbërë nga LVV, AKR, AAK, dhe NISMA, me përkrahjen e kryetarit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupinës së LDK-së, i shkarkuan aksionarët e pozitës në ndërmarrjet publike komunale dhe duke emëruar aksionarë të rinjtë.

Në ditën e njëjtë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur në Pressing për atë që po ndodhte në Prishtinë, ku pushteti humbi shumicë në Asamble.

Sipas Abdixhikut, “një sekser” i bëri bashkë Lëvizjen Vetëvendosje dhe partitë që në nivel qëndror kundërshtojnë LV-në, për t’i bërë dëm kryeqytetit.

“Për me e kuptu qytetarët e Prishtinës, sot ka ndodhur një nga marrëveshjet më të jodinjitetshme që ka mujtë dikush me e ba. Punë pazaresh, se sic i kishin ndarë, dikush e merr Termokosin, dikush e merr Parkingun, dikush e merr Pastrimin. I kishin ndarë në baza partiake”, thoshte Abdixhiku.

Abdixhiku aludonte në një person që ndan pazare, e që tha se nuk e dinte me emër se kush është.

“Është një sekser që i ka bërë bashkë, nuk e dinim se kush është. I kishin kontaktuar edhe asamblistët tanë”, kishte thënë kryetari i LDK-së.

Sot, Abdixhiku e riktheu këtë episod, pasi Policia e Shtetit në Shqipëri njoftoi se e ka arrestuar Besnik Mujecin, që është asamblist i LV-së në Prishtinë, si pjesë e një grupi u kap me mbi 11 mijë doza droge, në vlerë prej 400 mijë eurosh.

Kryetari i LDK-së sot shkroi se Lëvizja Vetëvendosje provonte me “pazare të pabesueshme”, të merrte ndërmarrjet publike. Sipas tij, synim asokohe – ndër të tjerash – ishte dhe marrja e Stacionit të Autobusësve të Kryeqytetit.

Këtë e ndërlidhte me arrestimin e sotëm të Mujecit, si pjesë e një grupi që dyshohet se bartte drogë në linjën e autobusëve Prishtinë – Tiranë. Abdixhiku e rikujton “insistimin e LV-së” për ta vendosur pikërisht asamblistin e arrestuar sot si aksionar në Stacionin e Autobusëve.

“Sot, teksa një asambleist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë – Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së Kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asambleist – pikërisht këtë pra – si aksionar në këtë Stacion. Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në Kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë”, tha sot Abdixhiku.

Të ngjashme