Lëvizja Vetëvendosje i quan të paafta institucionet përgjegjëse në luftimin e dhunës ndaj gruas.
Në një konferencë për media, deputetja Arbërie Nagavci tha se vrasja e grave dhe dhuna e përdorur ndaj tyre është dështim i institucioneve të drejtësisë.
“Kjo është një dëshmi qe shteti jon po dështon, pasi që dhuna në familje dhe pamundësia për t’ju ofruar mbështetje viktimave tregon se ato nuk janë të aftë të mbrojnë gruan nga dhuna. Sivjet janë evidentuar mbi 700 raste të dhunës ne familje”.
“Duke marr parasysh që këto nuk janë të gjitha rastet e lajmëruara, tregon se gjendja është edhe më alarmante. Gratë po vazhdojnë të jenë të ballafaquara me dhunë që në fillim të jetës së tyre. Vetëm në Gjakovë këto ditë janë raportuar dy vrasje të grave dhe kjo tregon se sa duhet të shqetësohemi për gjendjen e grave në Kosovë”
Deputetja Saranda Bogujevci tha se Vetëvendosje do të ndërmarrë hapa që kjo gjendje të ndryshohet, e që, sipas saj, vrasja e grave është shndërruar në situatë normale në vend.
“Kemi diskutuar se çka duhet të bëjmë që ta adresojmë këtë fenomen. Duhet të punojmë me shoqërinë në vend me organizatat që merren me çështjen e gruas dhe të gjithë ti mbledhim forcat të kemi kampanja vetëdijësuese protesta dhe përgjegjësinë që kemi si deputetë për ndryshimin e ligjeve, sidomos atë për dhunë në familje, i cili duhet të jetë në harmonizim me kodin penal. Do të ketë edhe kërkesë për seancë që do të përqendrohet tek dhuna në familje”.
Ne duhet të kërkojmë përgjegjësi tek institucionet që kjo situatë të ndërrohet. Është e papranueshme edhe sot të vritet një grua. Po duket se është bërë normale, tha Bogujevci.